28,12,2024

“Psikozë e 4:48-ve”, shfaqja e re e Fatos Berishës

Must Read

Shfaqja “Psikozë e 4:48-ve” që është tekst i autores britanike Sarah Kane, do të jetësohet me dirigjimet e Fatos Berishës, nga e gjithë trupa rezidente e Teatrit Adriana në Ferizaj.

Regjisori i njohur kosovar Fatos Berisha, tashmë veç ka përvjelë mëngët duke nisë kështu një projekt të ri teatror në Ferizaj.

Shfaqja “Psikozë e 4:48-ve” që është tekst i autores britanike Sarah Kane, do të jetësohet me dirigjimet e Fatos Berishës, nga e gjithë trupa rezidente e Teatrit Adriana në Ferizaj. Për KultPlus, regjisori Berisha dha disa detaje në lidhje me këtë shfaqje e cila pritet të dalë me premierë në gjysmë të nëntorit.

“Po, tanimë kemi filluar me procesin e provave të shfaqjes “Psikozë e 4:48-ve” me tekst të autores britanike Sarah Kane. Autorja (e ndjerë) bashkë me Mark Ravenhill, ishte një ndër nismëtarët e lëvizjes teatrore avangarde të viteve ’90 të quajtur “In your face theatre”. Jam i ndikuar dhe shumë i inspiruar nga kjo lloj dramaturgjie”, u shpreh Berisha, i cili vazhdoi të tregonte se provat për këtë shfaqje kanë nisë që nga java e kaluar, ku siç tha ai, nuk ishte proces klasik i provave por më shumë njoftim, ndërsa provat lexuese kanë nisë këtë javë.

Procesi është ndryshe, me tekste konvencionale që kanë rrëfim linear dramatik.
“Teksti i Sarah Kane jep një mundësi të përshtatjes edhe të numrit të aktorëve. Pra, nuk i ka të përcaktuara personazhet dhe jep mundësi te mëdha regjisoriale, që nganjëherë e bën më të vështire tërë procesin. Kasta e aktorëve janë e gjithë trupa rezidente e Teatrit Adriana të Ferizajt”, tha Fatos Berisha.

Trupa rezidentet e Teatrit Adriana në Ferizaj që është formuar sivjet është në përbërje të tetë aktorëve që njëherësh janë edhe në kastën e shfaqjes

“Psikozë e 4:48-ve”: Mevlan Saraçi, Edona Berisha, Ekrem Jakupi, Jajush Ramadani, Ali Krasniqi, Arben Marevci, Sherif Bega dhe Milot Salihu ndërsa asistent regjie është Kushtrim Asllani.
Sipas llogaritjeve të Fatos Berishës, shfaqja pritet që pas katër javësh prova të dalë me premierë në gjysmë të nëntorit, pra nëse çdo gjë shkon sipas planit të tij. Ambicia e regjisorit është të bëjë një shfaqje reprezentative që do të mund të shfaqet jo vetëm në Ferizaj dhe qytetet tjera të Kosovës, por edhe të marrë pjesë në festivale ndërkombëtare teatrore.

Krejt në fund, ai tregoi ndjesinë që ka në këtë teatër, me këtë trupë të re aktorësh.

“Po ndihem shumë mirë sepse kam gjetur një atmosferë të mirë, një frymë të mirë të punës së disiplinuar ne grup, që është e domosdoshme për këtë lloj shfaqjesh”, përfundoi për KultPlus regjisori Fatos Berisha. / KultPlus.com 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Agim Aliu: I gjithë Ferizaj në terr, kjo është e pashembullt!

Ditëve të fundit e veçanërisht sot, Ferizaj po përballet me gjendje të pashembullt e të pandodhur më parë sa...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img