Në gjykimin e Nebih Berishës nga Suhareka, i cili akuzohet se e vrau bashkëshorten e tij, Zejnepe Berishën, në cilësinë e dëshmitarëve janë ftuar ekspertë të psikiatrisë forenzike.
Kryetari i Komisionit të psikiatrisë forenzike, Fahri Drevinja, tha se ekspertizën e kanë bërë si komision prej tre ekspertëve në Institutin e Psikiatrisë, aty ku edhe i pandehuri kishte qëndruar nga muaji prill deri në qershor për ekzaminim.
Eksperti përmendi edhe ndikimet post-traumatike tek i akuzuari, për të cilin tha se ka qenë në luftë dhe është invalid i luftës, përdorimin e alkoolit dhe problemet e mëhershme bashkëshortore.
“Tepora criminalis – siç thoni ju apo në momentin e kryerjes ka qenë në gjendje të sipërpërshkruar, pra aftësia për të gjykuar drejt, rëndësia e veprës si dhe aftësia për t’i kontrolluar dhe ndaluar veprimet e tij ka qenë e zvogëluar esencialisht. Edhe nga vizita që e patëm drejtpërdrejt edhe sapo mora informacion nga mbrojtësi se i njëjti është i aftë të përballohet me procesin e gjykimit dhe deponimet e tij janë valide”, tha ai.
Ndërsa, prokurori i shtetit kundërshtoi ekspertizën e ekspertëve me vërejtje të përgjithshme për shkak se ai konsideroi se ekspertët nuk kanë qenë në gjendje të japin përgjigje në disa pyetje të shtruara nga prokurori.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Esat Gutaj, tha se e vlerëson mendimin e ekspertëve të psikiatrisë.
“Sipas mendimit tim si jurist, si avokat me përvojë, një ekip i ekspertëve ma kulminantë të forenzikës së Kosovës i kanë dhënë vlerësimet e veta. Nëse dikush mendon ndryshe le të lypë superekspertizë dhe superekspertiza mundet me thënë se kanë pasë apo nuk pasë të drejtë”, tha ai.
Nebih Berisha akuzohet se në mbrëmjen e 23 tetorit 2015 në shtëpinë e tij familjare me dashje privoi nga jeta bashkëshorten Zejnepe Berisha dhe i shkaktoi lëndime trupore vajzës së tij, raporton kallxo.com
.