Në një intervistë për Top Channel, Roberti thotë se diçka u bë gabim pas ndërhyrjes në Lazarat. Ai nënvizon se kërkesa për lëndën narkotike vjen nga Italia, por edhe krimi shqiptar është gati.
Zyrtari i lartë shton se tashmë shqetësim është grumbullimi i parave të drogës, riciklimi i tyre dhe përdorimi për qëllime të tjera. Me kryeprokurorin italian bisedoi gazetari Sokol Balla.
Zoti prokuror, cili është qëllimi i vizitës tuaj kësaj radhe në Shqipëri?
Franco Roberti: Kemi konstatuar që vitet e fundit trafiqet mes Italisë dhe Shqipërisë janë shumëfishuar, janë rritur në mënyrë eksponenciale. Atëherë donim të kuptonim me kolegët shqiptarë shkaqet e kësaj rritjeje eksponenciale të trafiqeve të drogërave, veçanërisht të marjiuanës dhe në vazhdimësi të kuptonim se çfarë duhet bërë më shumë dhe më mirë për të luftuar këtë fenomen.
Pyetja ime e dytë është e dyfishtë, a arritët të kuptonit cila është arsyeja dhe çfarë do të bëjnë dy prokuroritë për këtë?
Franco Roberti: Shkaqet janë të shumta, mbi të gjitha rritja e kërkesës së drogës nga ana e Italisë drejt Shqipërisë, që ndjek një vlerësim ekonomik të krimit të organizuar italian, i cili gjykon se është më e leverdisshme nga ana ekonomike që, në vend që t’i kultivosh në Itali plantacionet e marjiuanës ose në disa vende të tjera kultivuese siç mund të jenë vendet e Afrikës së Veriut, vlerëson se është më e leverdisshme t’i drejtohesh Shqipërisë.
Natyrisht, kësaj kërkese italiane për shërbime kriminale i ka korresponduar një rritje e ofertës nga ana e kriminalitetit shqiptar, atëherë është krijuar kjo lidhje perverse, që duhet përballuar, përmbajtur dhe luftuar në mënyrë efikase. Për të bërë këtë kemi verifikuar që rruga më e mirë është mbi të gjitha ajo e skuadrave hetimore të përbashkëta.
Por natyrisht, është edhe pjesa e korrupsionit. Lufta ndaj korrupsionit është një luftë ndaj krimit të organizuar, sepse krimi i organizuar përdor korrupsionin, si në Itali ashtu dhe në Shqipëri, për t’u infiltruar në institucione, në forcat rendit, forcat e policisë dhe deri në gjykata në disa raste.
Një pyetje e fundit mbi çështjen e marijuanës. Në vitet 2004-2005 Italia insistoi në eliminin e problemit të Lazaratit. Qeveria aktuale e zgjidhi këtë çështje ne vitin 2014. Por sërish Italia, pra ju, po thoni se ka një shumëfishim të prodhimit të marijuanës. Atëherë ka diçka që nuk është bërë mirë për të adminsitruar periudhën pas Lazaratit?
Franco Roberti: Me shumë mundësi duhej bërë më shumë dhe më mirë, për t’i dhënë vazhdimësi kësaj nisme pozitive të shkatërrimit të plantacioneve si në Itali, ashtu dhe në Shqipëri. Në Itali është bërë, është bërë sot nga kolegu Nicola Gratteri, kryeprokurori i Katanzaros që bën hetimet mbi territoret, mbi plantacionet, edhe me përdorimin e dronëve për të identifikuar vendet e kultivimit të marijuanës dhe hashashit. Domethënë, në vazhdimësi prishen këto plantacione. E njëjta gjë duhet bërë edhe këtu në Shqipëri dhe le të themi se indikacioni është ky, të zbulohen plantacionet dhe t’i shkatërrosh.