“Jeni të padijshëm jeni të rrezikshëm rrjedhimisht të dëmshëm. Në hierarkinë e Kosovës lartë jeni ju ligjet krejt poshtë”, tha Abdixhiku.
Ai ka ftuar opozitën që t`i bashkohet bojkotimit të institucioneve.
“Ju ftoj edhe një herë partnerët tjerë të opozitës të vazhdojnë të bojkotojnë institucionet e Kosovës në mënyrë që të kursejmë dëmin që i bëhet Kosovës. I ftoj edhe anëtarët e PSD që mos të bëhen pjesë e votimeve të shumicës po t`i bashkohen koordinimit bojkotues të LDK-s dhe VV-s”, tha Abdixhiku.
Me këtë deklaratë Abdixhiku, ka ndezur debat.
Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, e ftoi Abdixhikun që mos të përdor ofendime në të kundërtën do ia ndërpres fjalën.
“Për kualifikime pasha besën duhet me pas shumë moral, burrni, dijeni…. Gjithë kanë dinjitet kujdes. Janë çështje të rënda. Unë nuk ta ndërpreva me qëllim fjalën po tjera herë e ndërprej. Po më duket ke marr hov të madh. Thuam mu i padijshëm unë përgjigjem, po gjithë deputetëve mos ju thuaj”, tha Veseli.
Reagim kishte edhe nga ana e Dardan Sejdiut, ku ia dorëzoi 12 nënshkrimet e PSD-s, Lumir Abdixhikut.
“12 nënshkrime të PSD për 5 min t`i dorëzoj Lumir Abdixhiku nise mocionin. E dyta ne votojmë krejt ligjet për-kundër ose abstenim dhe nuk votojmë ligje varësisht prej presioneve”, tha Sejdiu.
Abdixhiku u kundërpërgjigj se do të ishte shqetësuar shumë nëse do ta duartrokitste PDK-ja.
“Isha shqetësuar shumë me më duartrokit PDK-ja. Prej fillimit të themelimit të juaj deri më sot kam besu qe e keni një qëllim të vetëm.. keni fol ma shumë për LDK dhe Vetëvendosjen se sa që keni fol për këtë qeveri e për këtë koalicion qeverisës”, tha Abdixhiku.
“Me që diskutimi im i solli 12 nënshkrime më vjen mirë që jeni kthy në këtë drejtim dhe prej sot i kemi 57 nënshkrime na duhen edhe 4 nënshkrime për mocionin për rrëzimin e qeverisë. Deri atë herë ju ftoj të bojkotoni qeverinë. Me vjen mirë që jeni kthyer këndej”, përfundoi Abdixhiku.
E Sejdiu, replikoi duke thënë se PSD do të vjen dhe beson që ata persona që u mungojnë nëse punojnë drejtë e mirë do ti bëjnë.