Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj dy persona për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge
Sipas aktakuzës së Prokurorisë “ekziston dyshimi i bazuar se gjatë vitit 2023 deri më datë 15.01.2024, në Ferizaj, të pandehurit me dashje dhe pa autorizim, në vazhdimësi me qëllim të shpërndarjes, shitjes ose ofrimit për shitje, substanca apo preparate të cilat janë shpallë me ligj si narkotik, në atë mënyrë që gjatë një kontrolli të veturës “Mercedes S-Class” me pasagjer i pandehuri A.M., në fshatin Talinovc i Muhaxherëve, Komuna Ferizaj, nga ana e zyrtarëve policor pas ndaljes për kontroll, i janë gjetur dhe sekuestruar substancë narkotike e ndarë në pesë (5) qese e llojit heroinë me peshë të përgjithshme prej 24.8 gram, të cilën substancë narkotike paraprakisht përmes telefonit e kishte porositur për blerje i pandehuri B.I, i cili porosinë e kishte bërë në Gjilan dhe të pandehurit ishin marr vesh mes vete që këtë substancë narkotike të shkonte dhe ta merrte i pandehuri A.M, e të cilën substancë narkotike të pandehurit pastaj u’a shisnin përdoruesve të ndryshëm në Ferizaj”.
“Po ashtu, të pandehurit B.I., gjatë kontrollit të banesës i janë gjetur dhe sekuestruar para në vlerë 61.61 euro, një peshore e vogël me mbishkrim CONSTANT, një shishe me mbishkrim METADON, shiringa të përdorura dhe të papërdorura, folie alumini, shishe të improvizuara për përdorimin e narkotikëve, me të cilën në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 dhe 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”