Prokuroria e Shtetit e Kosovës i ka reaguar ministrit Sveçla pas komenteve që ky i fundit bëri për aksionin e Policisë në Shtërpcë, ku tha se ashtu siç kishte premtuar qeveria Kurti, krimi dhe korrupsioni do të luftohen në çdo cep.
Prokuroria në reagimin e saj ka thënë se Sveçla po u jep karakter politik aksioneve të Prokurorisë.
Prokuroria ia ka rikujtuar Sveçlës së hetimi dhe ndjekja e rasteve penale nuk është punë e Ministrisë që ai drejton dhe as e sektorëve tjerë qeveritarë, por kompetencë e Prokurorit të Shtetit.
“Ne e mirëkuptojmë vlerësimin që pushteti ekzekutiv ka filluar ta ketë për punën e Prokurorit të Shtetit, mirëpo ia u bëjmë të qartë se duhet të respektohet ndarja e pushteteve dhe kompetencat që secili institucion i ka”, thuhet në reagim.
Gjithashtu, Prokuroria ia ka rikujtuar Sveçlës se aksioni i sotëm është punë e angazhim disa-vjeçar.
Reagimi i plotë i Prokurorisë së Shtetit:
Prokurori i Shtetit reagon ndaj deklaratës së Ministrit të Punëve të Brendshme, i cili ashtu si edhe aksioneve të tjera të prokurorisë edhe rastin e ditës së sotme të zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj në komunën e Shtërpcës dhe më gjerë, mundohet që t’iu jap karakter politik.
Hetimi dhe ndjekja e rasteve penale nuk është punë e Ministrisë së Punëve të Brendshme e as e sektorëve tjerë qeveritar, por është kompetencë ekskluzive e Prokurorit të Shtetit.
Hetimet dhe rastet penale nuk kanë konotacion politik dhe nuk duhet të komentohen nga organet politike.
Ne e mirëkuptojmë vlerësimin që pushteti ekzekutiv ka filluar ta ketë për punën e Prokurorit të Shtetit, mirëpo ia u bëjmë të qartë se duhet të respektohet ndarja e pushteteve dhe kompetencat që secili institucion i ka.
Në këtë kontekst, secili institucion duhet të sillet konform përgjegjësive ligjore dhe kushtetuese, pa u përzier në punët dhe kompetencat respektive.
Aksioni i ditës së sotme është punë dhe angazhim disavjeçar i Prokurorisë i mbështetur nga organet tjera ligjzbatuese, për më tepër është në vazhdën e përpjekjeve të Prokurorit të Shtetit për forcimin e sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre individëve që kryejnë vepra penale pavarësisht pozitës, funksionit apo etnisë që ata kanë. /Lajmi.net/