Kadri Veseli, Kryetar i PDK’së, për herë të parë pasluftës, kishte lëshuar akuzat më të rënda ndaj Prokurorisë dhe Gjyqësisë. Ka thënë në Parlament se lufta ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar do të jetë më e ashpër se aksionet e deritashme të Vetëvendosjes ndaj të njëjtëve zyrtarë.
Ndërkohë, të dielën, Kryetari i PDK’së përsëri ka sfiduar Prokurorinë, e cila ende s’e ka nxjerr asnjë rezultat nga hetimet për veteranët mashtrues e falsifikatorë.
Veseli i ka ftuar ata që të dalin guximshëm kundër falsifikatorëve të luftës Çlirimtare në mënyrë që të krijohet një evidencë reale e numrit të veteranëve që vërtetë kishin qenë pjesë e luftës.
Tashmë në këto lista statusin e veteranit kanë marrë mbi 46 mijë individë. Falsifikatorët shkojnë në mënyrë zingjirore sepse secili person që sot e ka këtë statusin e veteranit është dashur të ketë të paktën pesë nënshkrime. Nënshkrim nga komandanti i skuadrës, komandanti i togut, komandanti i kompanisë, komandanti i batalionit dhe komandanti i brigadës, firma të cilat dëshmojnë njohjen e statusit të veteranit.
Këto falsifikime Veseli i ka qujatur turp, madje zbardhjen e vërtetë të këtyre listave e quan betejë për vet shtetin e Kosovës, prandaj “Ne duhet ta fitojmë pa mëdyshje atë betejë”- thotë ai.
Express ka provuar të bisedojë edhe me vetaranët lidhur me thirrjen e Veselit për pastrimin e listave mirëpo asnjëri nga ta nuk ka qenë i qasshëm.
Thirrje për hetimin e listave ka bërë edhe kryetari i Komisionit Qeveritar për verifikimin e statusit të veteranëve të UÇK-së, Agim Çeku. Ai ka ftuar Prokurorinë që të hetojë gjithë procesin për dyshimet dhe manipulimet e ndryshme.
Por si u bë që listat të fryhen kaq shumë?
Raportohet se shefi i Shtabit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë muajve të fundit të Luftës së Kosovës, Agim Çeku kishte dorëzuar një listë në KFOR në të cilën figuronin 39 pjesëtarë; Zona Operative e Drenicës – 2.611; ajo e Pashtrikut – 1.715; Zona e Dukagjinit kishte gjithsej 1.537 pjesëtarë; ajo e Shalës – 1.253; e Llapit – 4.523; e Nerodimes kishte 1.253; e Karadakut kishte veç 347 pjesëtarë. Batalioni 1/60 kishte 110, derisa Qendra Shkollore kishte 30 pjesëtarë. Brigada 200 e Logjistikës kishte 40. Pra, në total dalin të jenë 13,458 anëtarë.
Bazuar në këto të dhëna dyshohet se më shumë se 33 mijë persona përfituan jashtëligjshëm statusin e veteranit. Status i cili u njeh atyre shumë benificione, shkruan Gazeta Express.