Projekti “Bashkimi i Qytetit”, nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Ferizaj konsiderohet investim ilegal. Në një konferencë me gazetarë, i pari i këtij subjekti politik në këtë qytet Muharrem Svarqa, akuzoi pushtetin lokal se këtë projekt e ka nisur pa kurrfarë baze ligjore, si dhe me plotë pakënaqësi të bizneseve dhe qytetarëve të zonës ku do të realizohet ai.
“Ky projekt po niset në kundërshtim me ligjin e buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2018, sepse nuk figuron as në investimet e Ministrisë së Infrastrukturës, e as në atë të komunës. Nuk gjendet në asnjë kod buxhetor. Ky projekt po ashtu nuk parashihet në Planin Zhvillimor të komunës, që është dokumenti më i rëndësishëm i komunës. Madje, pa pasur studim paraprak të fizibilitetit, studim ky i domosdoshëm ligjor që ndërlidhet me menaxhimin dhe shpërndarjen e parasë publike. Komuna e Ferizajt ka pasur obligim të organizoj debate me biznese pasi që adresat e tyre i ka pasur në zyrën e regjistrimit të bizneseve, por edhe në vet kabinetin e kryetarit. Fakti që ata janë anashkaluar në këtë debat tregon për defaktorizimin e tyre të plotë deri fyerje, në mënyrë që projektet të cilat nuk janë as në kornizën afatmesme buxhetore e as në dokumentin më të rëndësishëm të komunës siç është Plani Zhvillimor Komunal, të zhvillohen punët pa dijen e qytetarëve”, tha Svarqa.
Në anën tjetër, drejtori i Infrastrukturës në Ferizaj Arbër Bytyqi, ka kritikuar LDK-në se po reagon vetëm atëherë kur pushteti po realizon projekte që e ndërrojnë dukjen e këtij qyteti.
“Ndoshta ata ishin mësuar në dërgimin e investimeve në rrugë nëpër Kishnapole dhe nuk ishin mësuar me këtë natyrë të investimeve dhe kjo me të vërtetë është shqetësuese. Janë zhvilluar të gjitha procedurat e prokurimit edhe të tenderimit, ka kod buxhetor, ne jemi bazuar në një kod buxhetor, këtë mund ta shikoni në kodin buxhetor të Republikës së Kosovës, është gjegjësisht me emrin nënkalimi për vetura në komunën e Ferizajt, ai mund të shihet është publik. Po ashtu është edhe në Planin Zhvillimor Komunal, ku zona e qytetit është e paraparë të ketë infrastrukturë nëntokësore dhe pikërisht ky projekt lidhet me këtë”, tha Bytyqi.
Në konferencën e thirrur për media, kryetari i degës së LDK-së Muharrem Svarqa, ka akuzuar pushtetin lokal për kontraktimin e firmës ”Beni Com” në realizimin e punimeve të projektit ”Bashkimi i Qytetit”, firmë kjo së cilës komuna ia ka shkëputur kontratën për neglizhencë të punimeve në sheshin e qytetit.
“Brenda konsorciumit të këtij projekti merr pjesë edhe firma “Beni Com” së cilës kohë më parë i është ndërprerë kontrata për rregullimin e sheshit, në kuadër të cilës është dashur të ndërtohet edhe fontana para komunës, përkundër asaj që brenda kontratës me këtë kompani në asnjë nen të asaj kontrate nuk është paraparë mundësia e shkëputjes së njëanshme, apo shkëputjes me marrëveshje”, tha Svarqa.
“Edhe tek kontrata e re të cilën e ka fituar firma “Beni Com’’ nëse vazhdon me cilësinë e punimeve sikurse që ka qenë te sheshi, edhe tek ajo kontratë do t’i marrim masat e njëjta. Këtu janë dy kontrata të ndryshme, kompania është e njëjtë, por punimet ne do t’i mbikqyrim nga fillimi, kështu që këtu s’ka kurrfarë frike”, tha Arbër Bytyqi.
Dega e LDK-së në Ferizaj, ka vlerësuar se me projektin “Bashkimi i Qytetit” pushteti aktual do t’i shkaktoj dëme të mëdha të ardhmes së Ferizajt, pasi që sipas LDK-së, humbet shansi i integrimit natyror dhe organik të qytetit përmes futjes së hekurudhës nëntokë dhe asfaltimit me katër korsi të rrugës ”Ahmet Kaçiku”, tranmseton Televizioni Tema.