Ferizaj.25.02.2018. Profesori, Roch Forowicz nga Universiteti i Ekologjisë dhe Menaxhmentit në Varshavë të Polonisë, qëndroi për disa ditë në UShAF në kuadër të mobilitetit akademik, me ç’rast mbajti Punëtori me studentët e Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit, me titull ‘’Projektimi i Hartave’’ dhe i njoftoi ata me trendet e fundit të projektimeve me programin ‘’Resolume Arena’’, i cili ka pak përdorim në Kosovë.
Gajtë qëndrimit të tij në UShAF, profesori Roch u takua me rektorin e UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, i cili i uroi mirëseardhje dhe e falënderoi për mundësinë që ua dha studentëve që të përfitojnë nga njohuritë e tij.
Po ashtu, Profesori Roch tha se mobilitetet në përgjithësi janë një mundësi e mirë për shkëmbimin e përvojave dhë se qëndrimi i tij në UShAF ka qenë një përvojë jashtëzakonisht e mirë për të.
‘’Studentët janë të përgatitur në mënyrë të shkëlqyeshme, janë shumë të talentuar dhe mjaft ambicioz. Falë kësaj kam arritur që të zhvilloj programin e Punëtorisë në mënyrë të kënaqshme dhe në një atmosferë kreative. Në përgjithësi të punoj me këta të rinjë të këtij vendi ka qenë kënaqësi për mua. Do të dëshiroja që të vija këtu përsëri dhe të zhvilloj programe të tjera’’, tha profesori Roch.
Ndërsa, Florit Hoxha, profesor në UShAF, i cili i mbështeti studentët gjatë kësaj kohe dhe u përkujdes për mbarëvajtjen e kësaj Punëtorie, e cilësoi si mjaft të rëndësishme dhe inovative këtë punëtori dhe ndihet i lumtur që UShAF po iu mundëson studentëve që të marrin përvoja nga profesorë të Universiteteve të huaja. Sipas tij, studentët e UShAF janë me fat që janë pjesë e kësaj Punëtorie dhe po përfitojnë njohuri që pak Universitete e ofrojnë.
Edhe studentët pjesëmarrës në këtë Punëtori, Hënor Teneçja dhe Emanuel Gjergji, u shprehën të kënaqur nga përvoja që po marrin pjesë në projektimin e hartave, të cilat kanë për qëllim të përcjellin mesazhe tek publiku, editimin e fotografive dhe përdorimin programit të ri. Sipas tyre do të ishin shumë të suksesshëm nëse do të fillojnë të aplikojnë njohuritë e fituara nga kjo Punëtori.
Must Read