Ilir Bytyçi
Ferizaj është qyteti më i ri në Kosovë, por që ka një trevë relativisht të vjetër e cila nga gjetjet arkeologjike dhe nga burimet historike na jep të dhëna se kjo hapësirë gjeografike ishte e banuar që nga epoka e Neolitit. Ky qytet u themelua në pjesën e Jugore të Kosovës. Me një sipërfaqe prej 345 km². Qyteti i Ferizajt ishte një prej qyteteve të rralla i cili fatin e tij, e lidh me ndërtimin e vijës hekurudhore dhe të Stacionit hekurudhor që kishte filluar të shtrihej ky rrjet në gjithë Evropën, po ashtu edhe në territoret të cilat ishin nën sundimin e Perandorisë Osmane. Andaj për Ferizajn, kishte një rëndësi të madhe për shkak se këtu u bë një përqendrim i madh i banorëve të ardhur nga anët ndryshme të Kosovës, kurse pas vitit 1878, kishte edhe popullate shqiptare e shpërngulur me dhunë si pasojë e dëbimeve që bëri Principata serbe trevave të Sanxhakut të Nishit. Por jo vetëm kaq, krahas zhvillimit rritjes së qytetit të ri do të kemi edhe proceset politike që zhvilloheshin në trevën e Ferizajt e cila ishte mjaftë aktive sidomos pas ngjarjeve të Krizës Lindore(1875-1878) që do të ndërlidheshin më kryengritjet antiosmane dhe me përpjekjet e shqiptarëve në formimin e strukturave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila kishte nisur veprimtarinë e saj në rrethana mjaftë të vështira.
Andaj pikërisht në këtë kohë të zhvillimeve politiko-shoqërore do të kemi ngjarje me rëndësi historike, të cilat do ta afirmojnë trevën e Ferizajt, të njohur për shkak të rezistencës antiosmane duke nisur nga viti 1881, kur në afërsi të Ferizajt, përkatësisht në fshatin Slivovë u bë një rezistencë fuqishme kundër forcave osmane të cilat ishin të përbëra nga 17 batalione kurse forcat e bashkuara të Lidhjes nën Komandën e Mic Sokolit, ishin gjithsej 3000 luftëtarë, aty pas një përleshje të madhe në mes të palëve ndërluftuese, me megjithatë ishte e vështirë të ndalej mësymja e osmaneve për shkak të epërsisë numerike dhe të arsenalit ushtarak që posedonin, këto forca që ishin nën komandën e Dervish Pashës, ku synimi i tyre ishte Prizreni, më të vetmin qëllim për ta shuar veprimtarinë e Lidhjes Shqiptare. Në këto rrethana mjaftë kritike për vendin, Ferizaj ishte shndërruar në një qendër aktive, duke bërë edhe si nënkëshill i cili merrej me koordinimin e punëve në organizimin e aksioneve të Lidhjes së Prizrenit.
Sa përket luftimeve në mes të forcave osmane dhe atyre të lidhjes nuk lan pa zgjuar interesimin e diplomacisë perëndimore, e cila lidhur më këtë rast do të kemi korrespondencën e konsullit britanik Blant, ku “thotë se forcat shqiptare të cilat në radhët e veta kishin afër 7.000 luftëtarë të cilët u përleshën me ushtrinë osmane që numëronte deri në 15.000 ushtarë. Këto luftime u bënë vetëm 5 milje larg Ferizajt, duke u shoqëruar me një rezistencë të fuqishme, por jo e mjaftueshme sa për të ndalë marshimin e forcave të Dervish Pashës”. Një faktor të rëndësishëm në dobësimin e rezistencës antiosmane të cilën e organizonte Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ishte diplomacia ruse e cila udhëhiqej nga konsulli rus Ivan Jastrebovi, mor me shumë çështje rëndësishme që kishin për qëllim realizimin e objektivave ruse. Ku përveç degradimit të përpjekjeve të faktorit shqiptar arriti të ndikojë në shumë mënyra për të dobësuar organizimin dhe mbrojtjen me të mire të Lidhjes Shqiptare e cila do të shuhej më 24 prill 1881. Ai deri në fund i qëndroj besnik parimit të politikës pansllaviste duke mbjellur farën përçarjes dhe ndarjeve në mes të krahinave shqiptare. Këtë ndikim Rusia e kishe bërë edhe përmes kishave serbe të instaluara në Kosovë, siç ishte rasti murgjërit rusë në Manastirin e Deçanit.
Shtypja e Lidhjes së Prizrenit, do të pasohej me ushtrim të dhunës shtetërore nga ana autoriteteve osmane me qëllim qe të pengoheshin përpjekjet e popullit shqiptar për çlirim nga sundimi osman. Po ashtu përveç rrethanave historike koha nxjerri edhe disa nga figurat e rëndësishme të cilat ndikuan në proceset politike të kohës. Siç ishte rasti me Mic Sokolin dhe me Sef Kosharen.
- Mic Sokoli
Vlen të theksohet se në pranverën e vitit 1881 përkatësisht nga datat 16 deri më 20 prill 1881 u zhvilluan luftime në trevën e Ferizajt, me theks të veçantë Beteja e Slivovës, pas luftimeve të ashpra po thuajse trup me trup dhe në pamundësi për të ndalë marshimin e trupave mësymëse osmane, Mic Sokoli bëri edhe aktin heroik atë të hedhjes në grykën e topit. Andaj tregoi edhe një herë se mbrojtja e tokave shqiptare ishte një detyrë e madhe të cilën e kërkonte koha, andaj akti i flijimit të këtij trimi nga Bujani tregon se si mbrohet atdheu duke u bërë frymëzim i shumë brezave për liri. Sot komuna e Ferizajt, si shenjë nderimi për veprën e tij, sublime ka vendosur në emblemën komunës figurën e Mic Sokolit.
- Sef Kosharja
Personalitet i cili la gjurmë të pashlyeshme në historinë e tonë, Sef Kosharja i cili ishte një ndër figurat me ndikim të rëndësishëm në përpjekjet e Lidhjes Shqiptare për të ruajtur tërësinë tokësore të saj nga copëtimi. Kjo figurë historike do të bëhej faktor i me ndikim në shtrirjen e autoritetit të Lidhjes në shumë pjesë të Vilajetit të Kosovës, përgjatë vitit 1880, ku shumë zyrtarë osmane zëvendësoheshin me shqiptarë. Andaj pikërisht për këtë fakt si luftëtarë i Lidhjes do ta gjejmë edhe në çlirimin e Podujevës. Duke parë që forcat osmane thyen rezistencën në Grykën e Kaçanikut, Sef Kosharja me 60 luftëtarë u nis për në ndihmë forcave të Lidhjes por në luftimet që zhvilloheshin ne fshatin Stagovë të Kaçanikut, plagoset rëndë dhe pas disa ditësh ekzekutohet në mënyrë makabre afër fshatit të lindjes Koshare nga ana forcave të Dervish Pashës.
Aktivitetet politiko-shoqërore nga viti 1881- deri më 1908
Perandoria Osmane kishte hyrë në shekullin e XX-të, me shumë humbje territoriale dhe njerëzore e cila mezi mbijetonte nga pasojat e luftërave të vazhdueshme dhe të një sistemi ekonomik mjaftë të dobët, duke u hapur rrugën lëvizjeve separatiste të cilat kishin për qëllim të krijonin shtetet e tyre kombëtare, andaj në rrethanat e krijuara pas Traktatit të Shën Stefanit dhe Kongresit të Berlinit, që kishin ndikuar negativisht në rrjedhat gjeopolitike të kohës duke e dëmtuar rëndë tërësinë tokësore të trevave shqiptare duke u ndjerë rëndë në gjithë trojet ku jetonin shqiptarët. Perandoria Osmane kishte vazhduar politikën mohimit të çdo të drejte popullit shqiptar, ju kishte dhënë krahë shteteve fqinjë që edhe ato të kishin mundësi të ndikonin në rrjedhat politike dhe pengonin çdo përpjekje çlirimtare në këtë aspekt edhe treva e Ferizajt, ishte pjesë integrale e luftës për çlirim nga pushtimi osman. Po ashtu si ngjarje që ka zënë vendin e saj, në rezistencën antiosmane ishte lëvizja fillim shekullit XX-të, ku disa krerët shqiptarë u ngritën kundër sundimit osman në mesin e tyre ishin Mulla Syla nga Shtimja dhe Sinan Dogani nga Doganajt e Ferizajt.
Po ashtu rezistenca antiosmane si në shumë pjesë të Kosovës edhe në trevën e Ferizajt ishte mjaftë aktive kësaj radhe vatër kësaj rezistence ishte fshati Koshare ku pati një përleshje në mes të forcave osmane dhe atyre kaçake, mbeti i vrarë udhëheqësi turk i xhandarmërisë Karaman beu nga ana e Bafti Tërhanit. Sipas të dhënave që na ofron autori serb Atanasije Urosheviqi, ku ndër të tjera, deklaron se zgjerimi rritja e vazhdueshme e qytetit ndikoi në rregullimin e ri administrativ duke emëruar Ferizajn, kajmakamllëk, për ta ndarë nga pjesa jugore e kazasë së Prishtinës në vitin 1906.
Revolucioni Xhonturk dhe Kuvendi i Ferizajt
Si njëra ndër ngjarjet që solli ndryshime në Perandorinë Osmane ishte padyshim fillimi i Revolucionit xhonturk i cili ardhur si pasojë e krijimit të rrethanave të reja të ndodhura në Perandorinë Osmane. Ku vlen të theksohet se si ngjarje më rëndësi ndërkombëtare kemi të bë dhënien e koncesioneve që kërkonte Vjena zyrtare dhe kjo deklaratë erdhi pikërisht nga Ministër i saj Punëve të Jashtme të Perandorisë danubiane Erental më 1908 ku thoshte kanë marrë pëlqimin e palës turke për ndërtimin e hekurudhës së Mitrovicës që kalonte përmes Vilajetit të Kosovës dhe Vilajetit të Manastirit, për tu lidhur me portin e Selanikut.
Kjo nuk u pa me sy të mirë nga fuqitë e Antantës. Mbretëria e Bashkuar dhe Rusia Cariste të cilat për të neutralizuar ndikimin austro-hungarez në Turqinë Evropiane ndërmorën hapa konkret siç ishte rasti me takimin e Revalit(Rusi) në qershor 1908 që kishte të bënte më arritjen e marrëveshjes ku parashikoheshin të bëheshin reforma të reja në Maqedoni, që do të çonin në forcimin e kontrollit të këtyre fuqive në pjesën e mbetur Evropiane të Perandorisë Osmane. Ishte natyrshme që këto ballafaqime mes të blloqeve rivalë krijuan një situatë aspak të mirë në Vilajetin e Kosovës, duke bërë që të lindin pakënaqësi të mëdha të cilat i paraprinin Revolucionit Xhonturk.
Ilir Bytyçi- Historian dhe Përgjegjës për Trashëgimi dhe Muze në Ferizaj