02,12,2025

Prezantohet profili ekzistues për hartimin e Planit Zhvillimor Komunal

Must Read

Në Sallën e Kuvendit të Komunës është mbajtur sot sesioni publik për prezantimin e profilit ekzistues të Planit Zhvillimor Komunal të Ferizajt (PZHK).

Në hapje të këtij sesioni morën pjesë Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, drejtori i Drejtorisë së Urbanizimit, Arbër Bytyqi, drejtorë të drejtorive komunale, si dhe përfaqësues të kompanisë INSI.

Gjatë hapjes zyrtare të këtij konsultimi publik, Kryetari Aliu theksoi se ky proces është një ndër më të rëndësishmit për komunën.

“Sot nis një epokë e re, një kapitull i ri për Ferizajn, i cili duhet të ketë përmbajtjen dhe dimensionin e zhvillimit që tashmë ka marrë qyteti. Ferizaj është qyteti i tretë për nga numri i banorëve dhe i dyti për nga zhvillimi ekonomik. Por, Ferizaj tashmë ka edhe një epitet tjetër – epitetin e pushtuesit të lartësive, sukseseve dhe fitoreve; pushtuesit të modelit të transformimit dhe të mënyrës se si duhet të ecë përpara një qytet,” tha Aliu.

Ai falënderoi qytetarët për kontributin e vazhdueshëm gjatë viteve, i cili ka ndikuar në transformimin urban të Ferizajt, duke theksuar se Plani Zhvillimor Komunal është dokument i rëndësishëm strategjik për të ardhmen e qytetit.

“Ky dokument duhet të ketë vizionin e duhur, në mënyrë që edhe kur unë të mos jem më kryetar, pasardhësi im të ketë rrugën e trasuar për të punuar për gjeneratat që vijnë,” shtoi Kryetari Aliu.

Për rëndësinë e procesit foli edhe drejtori i Urbanizimit, Arbër Bytyqi, i cili theksoi se PZHK është një ndër dokumentet më të rëndësishme strategjike të Komunës së Ferizajt.

Në këtë takim, përfaqësues të kompanisë INSI, e cila është kontraktuar për hartimin e PZHK-së, sqaruan se qëllimi i sesionit ishte informimi i qytetarëve për fazat e hartimit të planit, metodologjinë e punës, si dhe kornizën ligjore dhe institucionale që e rregullon këtë proces.

Plani Zhvillimor Komunal do të hartohet përmes disa fazave, duke garantuar transparencë të plotë për qytetarët dhe të gjitha grupet e interesit.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Ferizaj nderon 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit, Pavarësisë dhe të gjithë Dëshmorëve të Kombit

Ferizaj sot u bashkua me mbarë kombin shqiptar në shënimin e 28 Nëntorit, ditës më të rëndësishme të historisë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img