Pasi ka përfunduar pushimet verore me familjen, Sebastian Vettel, duke nisur nga kjo fundjavë do të tentojë sërish të bëjë të pamundurën për të rrëzuar nga froni britanikun Lewis Hamilton, e për të fituar titullin e parë me Ferrarin. Për këtë i duhet fillimisht të garojë në Spa Francorchamps të Belgjikës.
Përpara nisjes së pushimeve, Ferrari pa t’i iknin nga duart dy fitore, të dyja në favor të kundërshtarit të drejtpërdrejtë, Hamilton, në Gjermani dhe Hungari. Ndaj, tashmë është koha e duhur për të ndryshuar marsh, pavarësisht vështirësive me të cilat do të përballet.
Spa Francorchamps është tradicionalisht një pistë super e shpejtë, në të cilën vitet e fundit Mercedesi ka arritur të shfaqë performanca të mira. Por, gjermani Vettel është i qetë dhe me besim të plotë te kapacitetet e Ferrarit të tij.
“Çelësi i suksesit në këtë garë do të jetë shpejtësia. Këtë vit kemi garuar mirë në të gjitha llojet e pistave, jo vetëm në ato që janë të shpejta. Për këtë arsye kam shumë besim”, shprehet piloti gjerman i Ferrarit.
Sa i përket zhvillimeve të tjera në Formulën 1 gjatë kësaj periudhe pushimesh, Vettel flet i surprizuar për largimin e Ricciardos te Renaulti, por jo për tërheqjen e Fernando Alonsos.
“Me Fernandon ka ndodhur ajo që pritej, do të më vijë edhe mua radha një ditë. Pilotët vijnë e ikin, ndërsa ai ka qëndruar për një kohë të gjatë në Formulën 1. Besoj se e ka parë si momentin e përshtatshëm për t’u tërhequr, por motivet i di vetëm ai”, thotë Vettel për Alonson.
“Ricciardo te Renaulti në fakt më surprizoi. Ai është një nga pilotët më të mirë në qarkullim dhe besoj se e di mirë çfarë po bën. Megjithatë, nuk mund të shprehem mbi faktin sesa shumë mund të përmirësohet Renaulti në vitet që vijnë”, u shpreh piloti gjerman.
Must Read