Ferizaj.17.01.2018. Policia e Ferizajt ka identifikuar katër të dyshuar për dy raste të vjedhjeve të ndodhura në Ferizaj dhe në periferi të qytetit, përkatësisht në resortin “Milenium” dhe në pikën e shitjes, “Neptun”.
Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka zbuluar katër të dyshuar për vjedhje të rëndë.
Në komunikatë thuhet se të dyshuarit kanë pranuar fajin në prani të avokatit për dy vjedhje.
Ky është njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës:
Pas hetimeve intensive, hetuesit policor të sektorit rajonal të hetimeve Ferizaj, kanë arritur që të identifikojnë katër persona të dyshuar për kryerjen e dy veprave penale të “Vjedhjes së rëndë”, raste këto të ndodhura në Ferizaj dhe në periferi të qytetit, përkatësisht në resortin “Milenium” dhe në pikën e shitjes, “Neptun”. Hetuesit policor gjatë zhvillimit të procedurës hetimore, kanë siguruar prova të mjaftueshme lidhur me kryerjen e këtyre veprave penale.
Të dyshuarit, B.S. (m/sh/k 20 vjeç), H.R. (m/sh/k 20 vjeç), D.A. (m/sh/k ) dhe A.R. (m/sh/k ), më datën 05.10.2017, me forcë kanë depërtuar në ambientet e resortit “Milenium” dhe nga arka metalike kanë marrë 17 mijë euro. Ndërsa në pikën e shitjes “Neptun” në Ferizaj, më datën 23.2.2017 , kanë marrë pajisje të ndryshme, (Llap top, telefona celular dhe IPED) në vlerë të përgjithshme rreth 15 mijë Euro.
Gjatë intervistimit dhe në prani të avokatëve mbrojtës, të dyshuarit kanë pranuar në tërësi veprat e kryera. Të dyshuarve, prokurori i shtetit ua ka vazhduar masën e paraburgimit.