Policia e Kosovës vlerëson se gjendja aktuale e sigurisë së përgjithshme në Kosovë është e qetë dhe stabile. Organet e sigurisë në vend një ditë më parë kanë mbajtur takime lidhur me gjendjen në vend, e pas këtyre deklaratave të ndryshme, qytetarët u alarmuan për mundësinë e ndonjë sulmi terrorist.
Njoftimi i dërguar nga Policia e Kosovës thotë se aktualisht janë duke u implementuar disa veprime operacionale të planifikuara, që ndërlidhen me manifestimet për festat e pashkëve. PK potencon se një qasje e tillë policore aplikohet edhe në rastet e tjera të manifestimeve të ndryshme, që kanë të bëjnë me ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve dhe parandalimin e çfarëdo incidenti të mundshëm.
“Policia e Kosovës çmon lart bashkëpunimin me komunitetet fetare lidhur me manifestimin e këtyre festave dhe po ashtu falënderon të gjithë qytetarët për nivelin e lartë të vetëdijes qytetare për të respektuar të drejtat dhe liritë e të gjitha komuniteteve, si një nga vlerat fundamentale të shoqërisë demokratike.
Njëkohësisht Policia e Kosovës falënderon të gjithë qytetarët për bashkëpunimin e ndërsjellë të treguar, bashkëpunim ky i mirëpritur nga PK-ja, i cili në vazhdimësi po tregon rezultate pozitive në realizimin e detyrave policore dhe sigurisë së përgjithshme në vend.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e planifikimeve të saja operacionale, me qëllim të ofrimit të sigurisë për të gjithë qytetarët, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në vend, si dhe parandalimin e incidenteve të çfarëdo natyre”, thuhet në njoftim.