Qytetarët e Ferizajt të cilët njihen për mjeshtrinë e drurit, kanë filluar të prodhojnë edhe para, veç se të falsifikuara. Punëtoria e një personi u konfiskua nga Policia e Kosovës, deri sa në shtëpinë e tij u gjetën monedha mostër për prodhim të parave.
Në rajonin e Vitisë, ditë më parë në Policinë e Kosovës ishin raportuar disa raste për monedha të falsifikuara.
Pas një pune të gjatë Operative dhe hetimeve në vazhdimësi përmes rrugëve operative, Njësitet hetuese të Policisë së Kosovës nga Vitia i kanë rënë në gjurmë të dyshuarit dhe me 05 tetor 2016 rreth orës 07:30, në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata kanë bastisur shtëpinë e të dyshuarit V. E. (1983), në fshatin Bibaj komuna Ferizajt, nën dyshimin e bazuar se i njëjti është duke prodhuar dhe shpërndarë monedha të falsifikuara (letër).
Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar si dëshmi materiale për gjykatë :
- 32 x 20 euro (Monedha),
- 5 x 10 euro,
- 1 x 5 euro,
- një printer me ngjyra ,
- një kompjuter laptop,
- mjete të nevojshme për prerje si (skallper, brisk, gërshërë, izolatorë ,letër folie , një vule për numra ,një maskë plastike si dhe një shirit folie).Policia e Kosovës, Njësitet e hetimeve nga stacioni policor i Vitisë, tani i kanë gjashtë (6) raste të hapura si dhe disa raste të pa raportuara, që besohet se lidhen me personin e dyshimtë për shpërndarje të monedhave që dyshohet të jenë të falsifikuara.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ku janë gjetë fakte të qëndrueshme se i dyshimti besohet se ka kryer vepra të njëjta përveq në Viti edhe në disa qytete tjera të Kosovës si në: Gjilan ,Ferizaj, Kaçanik, Shtime dhe në qytete tjera të vendit.
Është njoftuar prokurori i shtetit e i cili jep urdhër për ndalim policor të dyshuarit prej 48 orëve.
Rasti është duke u hetuar, ka thënë , Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë Rajonale të Gjilanit.