Një shishe me pije alkoolike u ka shkaktuar vdekjen të paktën 21 personave. Ngjarja ka ndodhur në shtetin indian Uttar Pradesh. Policia ka arrestuar një person që mendohet se është përgjegjës për shitjen e pijes.
Lajmin e bën të ditur “Zee News”, sipas të cilës, të premten e kaluar, pesë persona kanë ndërruar jetë menjëherë pasi kishin shfaqur simptoma helmimi, ndërsa gjashtë të tjerë kanë humbur shikimin pasi kanë konsumuar pijen e blerë në një dyqan të zonës rurale ku jetonin.
Guvernatori i shtetit të Uttar Pradeshit, Akhilesh Yadav, ka urdhëruar pezullimin e menjëhershëm të disa gjyqtarëve dhe funksionarëve lokalë.
Dyshohet se pija që u mori jetën 21 personave ka qenë e falsifikuar dhe jashtë të gjitha parametrave të përcaktuar nga ligji.