Holli i shkollës së mesme të Agrobiznesit dhe Teknologjisë “Zenel Hajdini” në Ferizaj, sot ishte mbushur me ushqime të ndryshme tradicionale, të cilat ishin përgatitur nga nxënësit e kësaj shkolle.
Zëvendësdrejtoresha e kësaj shkolle Zebibe Imeri, tha se përmes këtij aktiviteti kanë për qëllim të aftësojnë nxënësit e drejtimit Teknologjia Ushqimore dhe në të njëjtën kohë promovimin e ushqimeve tradicionale.
“Ne e kemi kuzhinën në shkollën tonë dhe të gjitha ushqimet janë të përgatitura në shkollë, qëllimi ka qenë promovimi i kulturave të regjionit të Ferizajt me anë të ushqimeve tradicionale duke filluar nga gatimi i bukës, bukës së misrit, pogaçet, flija, ëmbëlsirat e shumë ushqime të tjera. Përveç realizimit të projektit nxënësit kanë bërë edhe praktikën duke i bërë këto ushqime tradicionale, po ashtu ne po mundohemi që nxënësit t’i përgatisim për tregun e punës”, tha Imeri.
Emel Qehaja- Elshani, nga organizata VRAE, organizatë kjo e cila ka mundësuar këtë aktivitet së bashku me GIZ-in gjerman, tha se shkëmbimi i kulturave mes nxënësve është një nga synimet e këtij aktiviteti.
“Ne punojmë me nxënësit e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas në program të monitorimit dhe që dy vite punojmë nëpër shkolla siç është edhe ky projekt në këtë shkollë që është synim i gjithpërfshirjes së nxënësve në mënyrë që të shkëmbehen kulturat në mes nxënësve”, tha Elshani.
Kurse, mësimdhënësit dhe nxënësit të cilët i kishin përgatitur këto ushqime, thanë se ato i kanë gatuar me shumë kënaqësi. Në mesin e nxënësve që pasion kanë kuzhinën dhe për t’u shkolluar në këtë profil kalojnë shumë kilometra, është edhe Alban Thaçi nga një fshat i Hanit të Elezit.
“Unë vijë nga një fshat i Hanit të Elezit, udhëtoj në këmbë 7 kilometra nga shtëpia deri në Han të Elezit më pas për të ardhur në Ferizaj pasi më pëlqen drejtimi kuzhinjer dhe gjithë këtë aktivitet sot që e kemi bërë më ka pëlqy shumë”, tha nxënësi Alban Thaçi.
“Kemi bërë ushqime të ndryshme dhe gjatë punës që e kemi bërë ka qenë kënaqësi për neve dhe është dashur që ne me bë maksimumin tonë që me bë këtë ekspozitë sa më të mirë”, tha nxënësi Shaban Tahiri.
“Sot kemi përgatitë rreth 40 produkte ushqimore dhe besoj se është një aktivitet që duhet të vlerësohet dhe çmohet”, tha Sahadete Lohaj, mësimdhënëse.
“Gjatë këtij aktiviteti interesimi i nxënësve ka qenë i jashtëzakonshëm, për çdo gjë kanë qenë të gatshëm me provu me përgatitë”, tha Valbona Ramadani, mësimdhënëse.
Në profilin Teknologjia Ushqimore, vijojnë mësimet rreth 150 nxënës. tvtema.net