15,11,2024

Përkujtohet dëshmori Besim Rexhepi

Must Read

Të martën në fshatin Komogllavë është shënuar dita e shkollës si dhe është përkujtuar dëshmori Besim Rexhepi, emrin e të cilit e mban shkolla e këtij fshati.

Në këtë manifestim morri pjesë kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Faruk Guri, drejtori i arsimit, Muhamet Halili, drejtori i pronës Fatimir Azizi si dhe bashkëpunëtorë të tjerë, familjarë të dëshmorëve, por edhe mysafirë të shumtë.

Me këtë rast kryetari Svarqa është shprehur se kjo është një ditë kur të gjithë ne shprehim nderimin dhe krenarinë që kjo shkollë e mban emrin e dëshmorit Besim Rexhepi, shembëlltyra e të cilit na obligon të gjithëve që të mos kursejmë mundin e djersën, përpjekjet dhe angazhimin, për të qenë në nivel të detyrës, për krijimin dhe avancimin e vlerave të përbashkëta, siç janë arsimimi dhe edukimi cilësor, profesionalizmi, humanizmi e solidariteti.

“Është kjo një ditë kur u jepet më shumë hapësirë fëmijëve dhe të rinjve për të dalë në skenë dhe për t’i shfaqur prirjet e tyre. Në këtë mënyrë fitohen dy të mira: edhe nxënësit zbulojnë talentin e vet, edhe mësimdhënësit binden për talentin e nxënësve dhe marrin masa për mbështetjen që duhet t’u jepet në të ardhmen, për shtjellimin dhe përparimin e prirjeve për t’u marrë me profesione të ndryshme. Kur flasim për talentet, unë dëshiroj që t’ju bëj thirrje juve mësimdhënësve, që t’i evidentoni dhe të përpiqeni për kultivimin e talenteve të reja në arte, shkenca ekzakte në shkathtësi kompjuterike e shkathtësi fizike. Komuna e Ferizajt e ka në plan që t’i mbështesë në forma të ndryshme këto talente. Rruga më e mirë për zbulimin dhe kultivimin e talenteve është organizimi i garave dhe përhapja e frymës garuese. Muajt maj dhe qershor le të jenë muaj të garave për të treguar dijet, aftësitë artistike dhe shkathtësitë e fëmijëve dhe të rinjve tanë”, ka thënë kryetari Svarqa.

Ai tutje është shprehur se një gjë nuk duhet të harrojmë kur flasim për arsimin dhe edukimin: se njëra nga sfidat kryesore sot është arsimimi i fëmijëve dhe i të rinjve në frymën e arritjeve bashkëkohore komunikuese.

“Kjo gjë shtron, sidomos para mësimdhënësve, nevojën e përgatitjes së vazhdueshme, ndjekjes së trendeve aktuale të mësimdhënies në botë dhe zbatimin e metodologjive moderne në mësim. Ndryshe, do t’i thellojmë edhe më shumë dallimet nga bota e përparuar, një gjë që nuk guxojmë ta bëjmë, aq më tepër në shekullin e komunikimit gjithnjë e më të dendur dhe në kohën e integrimeve. Unë mund t’ju them se pushteti lokal i Ferizajt është i përkushtuar për mbarëvajtjen dhe për ngritjen e vazhdueshme të cilësisë në shkollat tona, për krijimin e kushteve sa më të mira për mësim e aktivitete shkollore dhe për trajnimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve. Së këndejmi, shpresoj në ditë më të mira, për arsimim dhe edukim gjithnjë e më cilësor dhe për zhvillim të gjithmbarshëm të shoqërisë sonë”, është shprehur Svarqa.

Të pranishmëve me një fjalë rasti i është drejtuar edhe drejtoresha e kësaj shkolle Hidajete Ymeri, e cila ka folur për sfidat, sukseset dhe problemet me të cilat përballet ky institucion shkollore.

Ndërsa me një fjalë rasti të pranishmit i ka falënderuar për pjesëmarrje babai i dëshmorit Saqip Rexhepi.

Në fund tek busti i dëshmorit, u vendosën kurora të freskëta me lule, ndërsa nga nxënësit e kësaj shkolle u shfaq një program i pasur kulturo-artistik.

  

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Erion Veliaj: Ferizaj dhe miku im, Agim Aliu i bashkohen “Paradës së Shqiptarëve” më 28 Nëntor në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”  

Bashkia e Ferizajt është e para që i është bashkuar “Paradës së Shqiptarëve” që do të mbahet në Tiranë...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img