Ferizaj.30.05.2017. Banorët e fshatit Zaskok , familjarë , bashkëluftëtarë e strukturat të komunës së Ferizajt kanë përkujtuar sot me homazhe dëshmorët e kombit Hasan Çerkini e Ramadan Salihu në fshatin Zaskok.
Në këtë tubim përkujtimor mori pjesë edhe kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa i cili tha se vepra e tyre heroike meriton një nderim të përjetshëm.
Ai ka ripërsëritur se kontributi i dëshmorëve nuk matet me asgjë, por puna institucionale dhe edukimi i brezave të rinjë për këto histori duhet të njet një motiv më shumë që amaneti i tyre dalëngadalë po plotësohet.
“ Në këto momente përkujtimi shprehim përkushtimin e thellë të institucioneve të komunës së Ferizajt për nderimin e vlerave të luftës dhe për vlerësimin e akteve heroike të këtyre luftëtarëve të cilët i dhanë dritë dhe shkëlqesi lirisë të cilën po e gëzojmë ne sot. Ne do të punojmë deri në përulje para këtyre vlerave për të kultivuar tërë atë patriotizëm të lartë edhe tek gjeneratat e reja. Këtë sakrificë sublime si akti më i lartë historik do ta nderojmë për jetë. Zbrazëtia që krijon humbja e njerëzve të dashur duhet të zëvendësohet me kujtime të mira për ta dhe nderim të veprës së tyre heroike” u tha familjarëve të dëshmorëve dhe të gjithë të pranishmëve kryetari Svarqa.
Ndërkaq familjarët e dëshmorëve Ramdan Salihu e Hasan Çerkini me gjithë dhembjen treguan se ndjehen krenar edhe më tutje për kontributin që bijtë e tyre i dhanë lirisë.
“Djemtë tanë kishin jetën e mirë në Gjermani, por nuk mundën të duronin robërinë e atdheut dhe lanë shkollën e punën edhe pse e dinin se mund të vdisnin dhe më 15 prill të vitit 1999 u nisën për në Kosovë . Unë jam krenar për atë se çka ka bërë djali im ndërsa më vie mirë dhe edhe shteti nuk po i harron dhe po punohet për të mirën e brezave të ardhshëm” u shpreh Gani Salihu babai i dëshmorit Ramadan Salihu.
Kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa pas homazheve në fshatin Zaskok ka bërë homazhe edhe në fshatin Manastric tek lapidari dëshmorëve të familjes Haxhidema. Edhe me këtë rast u çmua lart kontributi i të gjithë atyre që mundësuan formimin e zhvillimin e shtetit të Kosovës.