Në Ditën e Dëshmorëve të Kombit dhe ditën e rënies heroike të dëshmorëve të kombit, Ramadan Rexhepi (Adidasi) dhe Imri Halili, kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu i shoqëruar edhe nga bashkëpunëtorët e tij, familjarë të dëshmorëve dhe përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, bënë homazhe tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj.

“Në 5 Majin e Ditës së Dëshmorëve të Atdheut me homazhe në Kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve të Kombit në Ferizaj, kujtuam e nderuam sakrificën sublime të Dëshmorëve të Kombit, datë kjo edhe e rënies heroike të Dëshmorëve të Kombit, Ramadan Rexhepi e Imri Halili, yje të përjetësisë së lirisë së Kosovës.Lavdi Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve për liri!” është shprehur kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.
Ndërsa Elmi Reçica, ish epror i UÇK-së tha: “Sot, me rastin e 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve të Atdheut, dhe në 26-vjetorin e rënies heroike në altarin e lirisë të dëshmorëve Ramadan Rexhepi – Adidasi dhe Imri Halili, bëmë homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve të Kombit në Ferizaj për të kujtuar dhe nderuar me përulësi sakrificën e tyre sublime për lirinë që gëzojmë sot.Jeta dhe vepra e dëshmorëve mbeten dritë udhërrëfyese për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Lavdi përjetë të gjithë atyre që ranë për lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin e kombit tonë!”