11,09,2025

Përkujtohen dëshmorët e Ferizajt të rënë në Tanushë të Gostivarit

Must Read

16 vjet më parë në Tanushë të Gostivarit ranë heroikisht dëshmorët nga Ferizaj, Hyrë Emini-Mira dhe Brahim Ademi-TT-ja.
Sakrifica sublime e këtyre dy dëshmorëve është përkujtuar sot me homazhe, me ç’rast bashkëluftëtarë, të afërm dhe qytetarë të Ferizajt, vendosen kurora me lule në shenjë respekti, duke u përkulur thellë para sakrificës së tyre.
“Sot kemi ardhë t’i bëjmë homazhe heroinës së kombit Hyrë Emini dhe Brahim Ademit, të gjithë jemi para një dëshmie që makineria vrastare e Millosheviqit filloi me përmasa shqetësuese ndaj popullatës së pafajshme shqiptare, duke kallur, djegur e masakruar, filloi gjenocidi, shfarosja e kombit, Hyra, Brahimi dhe shumë shokë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rrokën armët, liruan vendin dhe shkuan prapë t’u ndihmojnë vëllezërve tanë në Ushtrinë Çlirimtare Kombëtare në Maqedoni, fati i tyre ishte të jenë dëshmorë kombi, lavdi e përjetshme Hyrës e Brahimit e të gjithë dëshmorëve të kombit”, tha Sadik Rexhepi, përfaqësues i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të Luftës.
Nëna e dëshmorit Brahim Ademi, tha se dhembjen e tyre tashmë e kanë shndërruar në krenari, duke u shprehur e kënaqur me pjesëmarrjen e qytetarëve në këto homazhe.
“Faleminderit nga ky popull që po mbledhen e po vinë, për këtë vend kanë shkuar jo vetëm biri im, po të krejtve kanë shkuar, e kam ditë që po niset për luftë, po nuk kam mundur ta ndalë, nuk ndalet askush kur ka dëshirë me shku në luftë”, tha Sela Ademi, nëna e dëshmorit Brahim Ademi.
Ndryshe nga përvjetorët e tjerë, ky përvjetor për familjen e dëshmores Hyrë Emini është më ndryshe. Këtë vit familja po ndihet më krenare ngase bija e tyre i është kthyer Ferizajt e skalitur në bronz.
“Është një përjetim i veçantë ky përvjetor që lidhet edhe me zbulimin e shtatores, një falenderim për të gjithë ata që u angazhuan për ta risjellë Hyrën këtu në bronz, është ndjenjë e veçantë, më shumë është ndjenjë krenarie, është mirë që nuk harrohen dëshmorët, një popull që ka dëshmorë dhe nuk i harron e meriton lirinë”, tha Ramadan Emini, vëllau i dëshmores Hyrë Emini.
Për të bërë homazhe nga Gostivari erdhi babai i dëshmorit Hisë Fazliu, Bejtullah Fazliu, i cili tha se në 16 vjetorin e vdekjes së djalit të tij ka vendosur të qëndroj në Ferizaj, pranë bashkëluftëtarëve të të birit.
“Kam një kënaqësi që jam këtu dhe këtë shtatore nuk e kam parë, po e shoh tani, ndjej një kënaqësi të madhe, pas 16 viteve ndjej kënaqësi kur shoh këta vëllezër e motra që janë këtu e që vizitojnë këta dëshmorë, ne veç si prind e kemi dhembjen, por atë po e shpërndajmë me ju”, tha Bejtullah Fazliu, babai i dëshmorit Hisë Fazliu.
Bashkë me komandant Tahir Sinanin, Hyrë Eminin dhe Brahim Ademi, në Tanushë të Gostivarit, më 29 korrik 2001 ranë në altarin e lirisë edhe dëshmorët Naser Ademi dhe Hisë Fazliu.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Ferizaj me WiFi falas në shesh

Ferizaj po hyn në një etapë të re të digjitalizimit dhe modernizimit të hapësirave publike. Në ditët dhe javët...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img