Sot në kompleksin memorial të varrezave të dëshmorëve të kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Ferizaj, u mblodhën qindra qytetarë për të nderuar jetën, sakrificën dhe veprën e dëshmorëve të kombit, Driton Islami – Toni dhe Sadik Bega- Murtaja, në 23 vjetorin e rënies së tyre heroike.
Familjarët, miqtë dhe bashkëluftëtarët kujtuan me dhembje e pikëllim, krenari dhe faqebardhë sakrificën e Dëshmorëve të Kombit, Sadik Bega dhe Driton Islami.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, tha se “Ata ranë heroikisht në ballë të zhvillimit të luftimeve në betejën e Slivovës, në betejën e përgjakshme e heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë së Kosovës. Lavdi e përjetshme jetës dhe veprës së tyre të lartë të trimërisë dhe vetëmohimit!”
Me këtë rast Luan Jahiri nga organizata e veteranëve të luftës së UÇK-së, vlerësoi lartë kontributin dhe sakrificën e dhënë për lirinë e vendit tonë.
“Sot nderojmë bashkëluftëtarët, dëshmorët e Kombit Driton Islami dhe Sadik Bega. Në 23 vjetorin e tyre, ne si shoqëri, si shokë, si bashkëluftëtar kujtojmë evokimet më të mira të bashkëluftëtarëve tanë, kujtojmë sakrificën e dhënë për lirinë që po e gëzojmë sot dhe ndihemi krenar me të kaluarën tonë por edhe të tashmen tonë më të arriturat që ata i kanë lënë brez pas brezi. Sot pas 23 vitesh, vërtetë jemi krenar për atë kohë të gjithë ne bashkëluftëtarët, por ndihemi të mërzitur për humbjet e shokëve tanë, por kur e kujtojmë lirinë, ajo na bën të qëndrojmë më të fortë për këto ditë që jemi” tha Jahiri.
Përveç në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, homazhe për dy Dëshmorët e Kombit, Sadik Bega dhe Driton Islami u bënë edhe në vendin e rënies së tyre në fshatin Slivovë, pranë pllakës përkujtimore në hyrje të fshatit si dhe pranë shtatoreve të dy Dëshmorëve të Kombit, Sadik Bega dhe Driton Islami.