Ferizaj.22.11.2017. Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari priti sot në takim përfaqësueset e USAID për Kosovë, znj. Flora Arifi dhe znj. Antigona Mustafa, ku u diskutua për përgatitjen e fuqisë punëtore.
Rektori Bajraktari i njoftoi për zhvillimet e UShAF, programet të cilat funksionojnë në kuadër të Universitetit, numrin e studentëve dhe kërkesat e shumëta për regjistrim, marrëveshjet vendore dhe ndërkombëtare dhe përfitimin e dyanshëm.
Po ashtu, rektori foli edhe për përkrahjen e madhe të bizneseve dhe mbështetjen nga ato në zhvillimin e plan-programeve, si dhe praktikat e studentëve të cilët po tregohen të suksesshëm nëpër kompani dhe po sjellin rezultate të mira në punësimin e tyre.
“Universiteti jonë ka nevojë të madhe për përkrahjen e bizneseve, sepse ato e dinë më së miri se qfarë kërkohet në treg. Me kërkesën e tyre në kemi ndryshuar edhe programet vetëm që t’iu përshtatemi nevojave dhe profileve që kërkohen nëpër kompani. Rajoni i Ferizajt është rajoni më i pasur sa i përket industrisë dhe duke qenë se ka një numër të madh me fabrika, ka nevojë edhe për fuqi punëtore për prodhim e shitje”. Tha rektori Bajraktari.
Përfaqësueset e USAID, u ndanë të kënaqura nga ky takim duke e përgëzuar rektorin për bashkëpunimin me biznesin privat dhe theksuan se do të shikojnë për mënyrat më të mira që të ndihmojnë në këtë drejtim Universitetin.