Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Prof. Dr. Agron Bajraktari priti në takim përfaqësuesit e Zyrës së Erasmus+ për Kosovë (ZEK), znj. Remzije Istrefi – Koordinatore e Zyrës dhe znj. Blerinë Zjaça – Administratore e kësaj zyreje.
Përfaqësueset e Zyrës Erasmus+, zhvilluan takim edhe me stafin akademik, administrativ dhe me studentë të UShAF, të cilët i informuan për thirrjen për aplikim për vitin 2017, rregullat dhe procedurat e aplikimit, e po ashtu edhe me benefitet qe i ofron ky projekt duke filluar nga shkëmbimet afatëshkurtëra të studentëve dhe stafit, e deri tek studimet e plota, bursa për studentë në kuadër të shkëmbimeve, etj.
Rektori Bajraktari falënderoi përfaqësueset e Zyrës Erasmus+ në Kosovë për prezantimin në UShAF dhe për gatishmërinë e shprehur për të mbështetur Universitetin në procesin e aplikimit për projekte të Komisionit Evropian.
“UShAF ka vetëm një vit jetë dhe deri më tani është përfitues i dy projekteve të programit Erasmus+”, tha rektori Bajraktari. Ai sqaroi se projekti “Euforia” zgjatë 3 vite dhe ka për qëllim të krijojë dhe të zhvillojë lidhjet ndërmjet universiteteve dhe ndërmarrjeve për të avancuar mësimdhënien dhe mësimnxënien, për të përmirësuar kurrikulat në përputhje me nevojat e ndërmarrjeve dhe për të përmirësuar qëndrueshmërinë financiare të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë. Ndërsa, Rektori theksoi se projekti tjetër është me Universitetin e Ekologjisë dhe Menaxhmentit në Varshavë të Polonisë, sipas të cilit do të bëhet shkëmbimi i stafit akademik, stafit administrativ dhe i studentëve.
ZEK ndihmon Komisionin Evropian, Agjencinë Ekzekutive dhe autoritetet vendore në zbatimin e Programit Erasmus+. Kjo Zyrë është pika kyçe për palët e interesuara në programin Erasmus+ në fushën e arsimit të lartë dhe kontribuon në ngritjen e vetëdijes, dukshmërisë, përshtatshmërisë, qëndrueshmërisë, qasjes efektive në dimension ndërkombëtar të Programit Erasmus+.