Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj sot e kanë vizituar përfaqësues të Bankës NLB për Kosovë (znj. Zana Rizvanolli – Drejtore për marketing dhe koordinim, znj. Iliriana Nrecaj – Zyrtare për marketing dhe z. Besim Imeri – Drejtor i ekspoziturës në Ferizaj), të cilët u pritën nga rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, ku u bisedua për çështje të rëndësishme rreth menaxhimit të parasë.
Më pas, në hapjen e prezantimit të përfaqësuesve të Bankës NLB para studentëve, rektori Bajraktari u shpreh i gatshëm që ky bashkëpunim të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Gjithashtu, ai falënderoi edhe studentët, të cilët vazhdimisht po tregohen të interesuar të mësojnë nga ligjërata të tilla.
“Jemi të privilegjuar që po vazhdojmë traditën që të sjellim para juve ligjërues të ndryshëm, në mënyrë që ju të fitoni përvoja të reja dhe të përfitoni dije sa më shumë, që kur të dilni nga këtu të jeni të gatshëm për tregun e punës dhe të mund të menaxhoni vet jetën tuaj”, tha Rektori.
Përfaqësuesit e Bankës NLB, gjatë ligjëratës që mbajtën para studentëve të UShAF, folën për menaxhimin e parasë, mënyrat se si mund të bëhen planifikimet financiare, mundësitë se si mund të kursejmë më shumë dhe dëshirat dhe ëndërrat që mund t’i realizojmë duke bërë planifikimin e mirëfilltë të parasë.
Përfaqësuesit e NLB falënderuan rektorin Bajraktari për pritjen dhe u shprehën të gatshëm që të bashkëpunojnë në të ardhmen.
Ky projekt është organizuar nga Banka NLB, i mbështetur nga Banka Botërore dhe ka për qëllim të inspirojë popullatën që të arrijnë sukses financiar, duke rritur efektivitetin e menaxhimit të parave gjatë kursimit dhe huazimit të mençur.