Ferizaj.13.02.2018. Për tre muaj janë eliminuar mbi 40 deponi ilegale të mbeturinave në mbi 25 rrugë me një sasi prej afro 500 ton mbeturinash
Me iniciativën e Kryetarit të Komunës së Ferizajt Agim Aliu dhe në koordinim të plotë me Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, për mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe ruajtjen e mjedisit, Komuna e Ferizajt ka pranuar raportin e përmbledhur të aksionit për pastrimin e hapësirave publike, gjegjësisht eliminimin e deponive ilegale në territorin e Komunës së Ferizajt për periudhën 3 mujore, aksion ky i ndërmarrë nga DShPE dhe KRM “Pastëria”. Sipas këtij raporti, në këtë periudhë janë pastruar mbi 25 rrugë, me mbi 40 deponi ilegale të mbeturinave në një sasi mbeturinash prej afro 500 ton. Ky aksion është shtrirë si në zonën urbane ashtu edhe në atë rurale. Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu dhe drejtori i DShPE Arben Halili, referuar gjendjes në terren të hapësirave publike, gjegjësisht heqjen e mbeturinave apelon tek qytetarët e Komunës së Ferizajt që të respektojnë hapësirën publike, orarin për hedhjen e mbeturinave, që mos të hedhin mbeturina në zonat ku nuk është e lejuar dhe që të denoncojnë rastet e ndotësve të hapësirave publike në mënyrë që ambienti të jetë më i pastër dhe të kursehet paraja publike që shpenzohet për eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave. Përkitazi me këto raste, aksionit për mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe luftës kundër ndotësve i është bashkuar edhe inspektorati komunal dhe inspektorati mjedisor me qëllim që qytetarëve t’i garantohet ambienti i pastër dhe mirëmbajtja e rregullt e hapësirave publike. Këto aksione të realizuara nga KRM “Pastërtia” paraqesin qasjen serioze të qeverisjes komunale, gjegjësisht kryetarit Agim Aliu për të zbatuar zotimin e tij ndaj qytetarëve ferizajas, për një ambient të pastër dhe shërbime publike efikase. Ditëve në vijim, Komuna e Ferizajt në bashkëpunim me Inspektoratin Mjedisor dhe ndërmarrjet publike do të ndërmarrin një aksion të gjerë për pastrimin e hapësirave publike, sensibilizimin e opinionit për kujdes ndaj mjedisit si dhe sanksionimin me gjoba mandatore nga inspektorati mjedisor për të gjithë ata që nuk janë të përgjegjshëm ndaj ruajtjes së mjedisit dhe ndotjes së hapësirave publike.