20,11,2024

Për çka do t’mbahet mend Opozita e Bashkuar?!

Must Read

Petrit Musolli

Nga Petrit Musolli

Ndoshta, më së miri me kuptu keqkuptimin esencial të Opozitës së Bashkuar për rrugën dhe kauzën e zgjedhur, është rikthimi në historinë e afërt, të përjetuar nga shumica prej nesh. Me u kthye në esencën e jetësimit të kësaj Kosove sot. Ndoshta më shumë sesa si u bë, me provu me gjetë përgjigjen pse u bë?!

Sepse u vranë, masakruan, dhunuan e përdhunuan mijëra vetë, e dëbuar gati një million?! Kjo është e vërtetë e madhe, pse perëndimi intervenoi ushtarakisht në një shtet sovran, siç ishte ajo Jugosllavi e mbetur. Sepse, të gjitha ato që ndodhën e po ndodhnin ishte argumenti i pakontestueshëm dhe i patejkalueshëm – që një etniteti të tërë, i rrezikohej ekzistenca fizike!

Gjatë gjithë kësaj kohe të pasluftës, nga shumica e shoqnisë shqiptare në Kosovë u kuptua gabimisht ndihma perëndimore për çlirimin dhe mandej pavarësimin, sikur interevenim për m’i ndryshue rolet dominuese në Kosovë. Që pas pavarësimit, etniteti dominant do të jenë shqiptarët, përkundër serbëve që kishin dominuar për mëse 100 vjet.

Këtu, mendoj, nisë keqkuptimi i madh i Opozitës së Bashkuar, për ta interpretuar kësisoj realitetin e shtetit e shtetësisë së Kosovës! Hapi i parë u bë me peticionin e mandej duke provuar edhe me imponimin e referendumit, ku shqiptarët shumicë do të vendosnin për natyrën e shtetit dhe mënyrën e rregullimit politik e shoqnor!

Në fakt, këtu i shpallin luftë të hapur vetë shtetit të Kosovës!

Me i’u kthye edhe njëherë asaj historie të jetësimit të kësaj Kosove sot, të pavarur. Serbia humbi të drejtën për të qeverisur me Kosovën pikërisht për faktin se impononte çdo vendim e përcaktim për rregullim të brendshëm, argumentuar mbi bazën e dominancës etnike. Siç e tregon edhe historia, kjo vetëm sa prodhonte dhe thellonte edhe më shumë konfliktin ndëretnik.

Zgjidhja më e mirë që perëndimi kishte parë, ishte krijimi i një Kosove që eliminonte dominancat etnike dhe regullimi politiko-shoqnor të koncentrohet në parime e vlera perëndimore e jo epërsitë etnike! Siç ndodhte nën sundimin e Serbisë.

Duke besuar se ia vlente përkushtimi për një Kosovë të tillë, perëndimi mori rrezikun e madh politik, duke ndërhyrë ushtarakisht dhe anashkaluar pajtimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, por edhe duke rrezikuar një konflikt të hapur me Rusinë.

Prandaj, në Kosovë, më asnjëherë nuk do të ketë vendime të njëanshme për të imponuar koncepte rregullative, të motivuara etnikisht! Asnjëherë, asgjë, nuk do të përcaktohet nëpërmjet peticioneve e plebishiteve njëetnike! As nëpërmjet protestimeve të motivuara etnikisht! Sepse, Kosova e pavarur është ndryshe e ideuar dhe projektuar! Është ideuar e projektuar mbi parimin e dialogimit dhe kompromisit politik, etnik e kulturor për çdo çështje të ngritur! Dhe, jo arbitrarizmit të njëanshëm!

Opozita e Bashkuar, u ngrit pikërisht kundër kësaj ideje, duke na kthyer mbrapa në kohë, kohën e perceptimeve për rregullim të ndërtuar mbi parimin e dominancës etnike. Për çka kishte ndodhur një luftë e perëndimit me Serbinë, për të mos e lejuar të ndodhë, ose thënë më sakt, të vazhdojë.

Opozita e Bashkuar, i shpalli luftë krejt arritjes së deritashme (jo lehtë e arritur), për të na kthyer në ridefinim të konceptit për Kosovën. Ose thënë më sakt, rishikim të projektit të Kosovës së ideuar nga perëndimi si argument për meritim pavarësie e shteti. E vetmja gjë që argumenton meritimin e Kosovës shtet, është realizimi ose jetësimi i konceptit rregullativ mbi parimin e dialogut dhe kompromiseve ndëretnike e kulturore! E kundërta, na kthen në kohën e Millosheviçit, e cila përfundon (siç ka përfunduar) me ndarje!

Opozita e Bashkuar, do të njihet në hisorikun e shkurtë të Kosovës së pavarur, si grupimi politik që seriozisht ka rrezikuar tërësinë e Kosovës dhe meritimin për me qenë shtet i pavarur!

Me gjithë pretekstet, për mbrojtje të Kushtetutës dhe tërësisë së Kosovës, veprimet e tyre kanë demonstruar krejt të kundërtën! Ose thënë më mirë, rruga e tyre ka qenë e drejtuar në kahjen e kundërt!

Manipulimi me termin ‘Zajednica’ për me nxitë emocion nacionalist dhe, targetimi i komunitetit serb si komunitet armiqësor, janë kulminacioni i ambicies së tyre për me shpërba gjithçka është ba në Kosovë! Sepse, nëse komuniteti serb rrezikohet, shembet krejt ndërtimi i deritashëm i Kosovës së pavarur!

Nëse provojmë me evitu parimin e dialogimit rreth mosmarrëveshjeve dhe me pranue kompromisin si rezultat, duke e zëvendësu me zgjidhje të imponueme të arrogancës së shumicës, nëpërmjet peticioneve e plebishiteve dhe mitingjeve nacionaliste – na kthen në pikën kur Serbia e ka humbur Kosovën, me të njëjtën arrogancë.

Sepse, kthehemi te fillimi, ku dominancat etnike determinojnë dhe jo vlerat e garantuara nga perëndimi. Sepse, shembet argumenti i një shteti të ndërtuem mbi vlera dhe, Kosova do të kthehet prap në territor për pazar!

Prandaj, mendoj, se përçamja e opozitës është lajm i mirë! Sepse, më shumë vepronte si opozitë e shtetit sesa pushtetit! Prandaj, mendoj, se ajo Opozitë e Bashkuar, me atë kauzë dhe ato forma të veprimit, e kishte pru Kosovën në prag të idesë së shpërbërjes!

E pakuptueshme mbetet përkrahja që gjeten te një pjesë e figurave publike apartiake, që u ndihmoi shumë të kamuflohen brenda një ideje të një opozitarizmi qytetarë, ose gjithpopullor, siç e quanin ata. Joshja me inkuadrim në listë zgjedhore nuk mund ta justifikojë papërgjegjësinë e tyre për me i’u bashkue një grupimi politik që rrezikonte qenien e shtetit! As vullneti me ndrru qeverisjen nuk arsyeton mbështetjen e tyre! Sepse, një kauze nacionaliste të një grupimi politik, ata i dhanë ngjyrën e një përkushtimi qytetarë për me rishiku krejt çka është ndërtu deri tash!

Dhe, krejt çka ka me u rishiku, është pavarësia e Kosovës! Kjo pavarësi që për argument ka pikërisht atë që u munduan ta rrënojnë!

Dhe, për këtë, do të mbahet mend kjo Opozitë e Bashkuar!

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img