Në fjalën e tij, gjatë takimit të Këshillit të Përgjithshëm të PDK-së, Veseli ka paralajmëruar se para Konventës do t’i takojë qytetarët anekënd Kosovës, në mënyrë që aspiratat e qytetarëve të jenë platforma e ardhshme e PDK-së.
“Kemi përpara shumë punë. Shumë shpejt do të kemi një Konventë të re zgjedhore të Partisë Demokratike të Kosovës”, ka thënë Veseli, shkruan lajmi.net.
Një paralajmërim i tillë i Veselit mund të shihet edhe si mobilizim i kësaj partie për zgjedhje të parakohshme.
Kjo, meqë çështjet kryesore në vend si demarkacioni dhe themelimi i Ushtrisë së Kosovës kanë ngecur, duke irrituar në masë të madhe qytetarët. Koalicioni i madh PDK-LDK nëse nuk arrin t’i kalojë së shpejti këto dy “kauza”, atëherë ekzistenca e tij është formale dhe nuk ka arsye të vazhdojë më.
“Kërkohet angazhim maksimal i të gjithëve, mobilizim i strukturave në të gjitha nivelet, duke u nisur nga ju dhe përgjegjësitë individuale qe i keni, dinamikë e re në aktivitetet e përditshme partiake, hapje e partisë për të gjithë njerëzit që kanë ide dhe duan ta shohin Kosovën të ecë përpara zgjerim dhe thellim i komunikimit me qytetarët në të katër anët e vendit”, është shprehur Veseli sot pasdite.
Veseli ka pohuar se në javët e ardhshme, ai do t’u prijë këtyre takimeve, që përfshijnë strukturat e PDK-së dhe qytetarët në të gjithë vendin.
“Do të bashkëbisedoj me ta, të njihem me shqetësimet dhe pritjet e tyre. Vizioni ynë buron nga vullneti i tyre dhe platforma jone do te jete realizim i aspiratave te tyre. Kemi hyrë në vit elektoral dhe koha është që të përgatitemi për fitoren e radhës të Partisë Demokratike të Kosovës. Ne gjithmonë i kemi merituar fitoret dhe fitoret tona janë kthyer gjithmonë në garanci për ecjen përpara të shtetit të Kosovës”, ka përfunduar shefi i PDK-së. /Lajmi.net/