19,11,2024

PDK akuzon udhëheqësit e arsimit në Ferizaj. Konkursi vetëm sa për sy e faqe!

Must Read

PDK dega në Ferizaj sot në një konferencë për medie ka akuzuar  Drejtorinë e Arsimit se po shpallë konkurs vetëm sa për sy e faqe.

Agim Berisha nga Departamenti për Arsim në kuadër të PDK-së  ka  ngritur shqetësimin se   gjatë  shpalljes së konkurseve po fshehen vendet e lira të  punës dhe po shpallen vetëm vendet   të cilat  kërkojnë kuadro deficitare.

“DA ka kërkuar mësimdhënës vetëm për lëndën e matematikës dhe informatikës.A mund t’i besohet kësaj drejtorie se lëndët tjera janë të plotësuara me kuadër përkatës”  ka thënë Berisha.

Deklaratën e plotë nga kjo  konferencë mund ta  lexoni  vazhdim:

DA e Ferizajt në konkursin e shpallur për kuadër profesional për mësimdhënie në shkollat e mesme të larta për vitin shkollor 2016/2017, ka kërkuar mësimdhënës vetëm për lëndën e matematikës dhe informatikës.

A mund t’i besohet kësaj drejtorie se lëndët tjera janë të plotësuara me kuadër përkatës?!

Assesi, këtë e dinë të gjithë…

Pa mëdyshje se ky është edhe një manipulim i radhës së kësaj udhëheqje të paaftë, e cila po e shkatërron palcën e sistemit arsimor për ditë e më shumë.

Nuk i ka publikuar të gjitha normat e lira se vitin e shkuar e ka stërmbushur me familjarizëm, kryesisht pa konkurs, një pjesë të papërgatitur edhe në rrafshin profesional.

Në konkursin e publikuar, të datës 11/07/2016, kanë konkurruar një numër i madh kandidatësh, por për çudi komisioni vlerësues e ka bërë përzgjedhjen e tyre, jo sipas kritereve dhe ligjeve në fuqi, por sipas urdhrave nga lart.

Pra, janë pranuar të preferuarit e pushtetarëve, ani se kanë përgatitje vetëm SHLP, apo bachelor, ndërsa i kanë refuzuar ata me FSHM – 4 vjeçar, a s’është kjo një farsë për të gjithë ata intelektualë që kanë marrë pjesë në konkurs?!Kur dihet se me ligjet e sotme të MASHT-it, me këtë përgatitje u pamundësohet të punojnë në këtë nivel arsimor. Mirëpo, për DA s’është parësore zbatimi i ligjit, por punësimi i të afërmve dhe i aktivistëve të partive bashkëkeqqeverisëse. Kjo dëshmon se udhëheqja e institucionit në fjalë s’gajlohet fare për cilësinë në mësim, prandaj detyrohet t’i falsifikojë statistikat dhe ta demantojë vetveten…

Është e pabesueshme, por realitet: në dekadën e dytë të shekullit 21 të punojnë të padiplomuarit, ndërsa të diplomuarit bredhin rrugëve papunë, kjo ngjet vetëm në Ferizaj.

Me bindje të plotë e dëshmoj se asnjëherë në sistemin e arsimit të Ferizajt nuk ka pasur numër kaq të madh të punëtorëve me nga një gjysmë normë, krejt kjo është bërë me qëllim që edhe ata që punojnë pa kontrata juridike, në mënyrë të paligjshme, të bëhen hisedarë të barabartë në ndarjen e orëve mësimore…

Tani, drejtorët e shkollave janë në siklet: të veprohet sipas kritereve dhe ligjeve apo sipas urdhrave të komunarëve?! Kush do t’i besojë DA se në dy nivele tjera të arsimit nuk paska vende të lira…

Prandaj, pse nuk e publikojnë konkursin për këto nivele?!

Mu për këtë kërkoj nga MASHT-i që t’i bëjë një inspektim kësaj drejtorie, ashtu siç veproi kohë më parë me DA të Malishevës, sepse inspektorët e arsimit po sorollaten poshtë e lart, pa ndërmarr asgjë kundër këtyre veprimeve antiligjore…

Gjithashtu, i thërras inspektorët e punës që t’i dalin në krah arsimit dhe të merren me këtë drejtori, e cila për hir të nepotizmit dhe anëtarësisë së pushtetarëve, po i injoron ligjet e Republikës së Kosovës dhe po tallet me intelektualët e kësaj ane: shpall konkurs vetëm sa për sy e faqe.

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img