Partia Demokratike e Ashkalive të Kosovës në Ferizaj, ka bërë të ditur se në balotazh do ta përkrah kandidatin e PDK-së Agim Aliun. Në një konferencë për media, kryetari i PDAK-së, Danush Ademi, tha se kanë vendosur ta përkrahin Agim Aliun, ngase përkrahja e PDK-së për komunitete nuk ka munguar asnjëherë.
“Ne si subjekt politik dega në Ferizaj, kemi vendos si më herët që kemi pasur marrëveshje me subjektin e PDK-së edhe kësaj radhe kemi vendosur që ta përkrahim kandidatin për kryetar komune Agim Aliun. Ne do ta përkrahim këtë kandidat pasi ne kemi pas koalicion në qendër, është mandati i katërt dhe asnjëherë nuk u na janë refuzuar kërkesat dhe ata vazhdimisht i kanë zbatuar kërkesat e tona, sepse gjithmonë kanë qenë dyert e hapura për subjektin politik të PDAK-së’’, u shpreh Ademi.
Ademi njoftoi se me PDK-në nuk kanë nënshkruar asnjë marrëveshje, por tha se kërkesat e tyre do t’ia prezantojnë Aliut pas fitores.
“Nuk kemi çka bëjmë marrëveshje, por pasi të fiton Agim Aliu, atëherë ulemi në tavolinë dhe e ndajmë atë çka kemi mundësi që ta gëzoj komuniteti jonë ashkali, ne besojmë në besueshmërinë dhe në punën e Agim Aliut dhe pasi të marrë pozitën në javët e para do të ulemi dhe t’i thojmë a ka mundësi këto t’i ofroni komunitetit tonë ashkali, në Ferizaj ne nuk jemi pak si komunitet, ne kemi afër 2000 vota që kryetari i tanishëm ka mundësi t’i marrë, unë ftoj elektoratin tim që vazhdimisht e kanë mbështetur, por besoj që edhe të tjerët nga komuniteti ashkali pasi që në zgjedhjet e 22 tetorit ka qenë puna e përzier pasi ka qenë një kandidat nga komuniteti jonë, por kësaj radhe është ndryshe dhe besoj një numër i madh mbi 805 i komunitetit do ta mbështesin Agim Aliun”,tha Ademi.
Përveç kryetarit të PDAK-së Danush Ademi, votën për kandidatin e PDK-së Agim Aliun e kërkuan edhe kryetari i degës së këtij subjekti në Ferizaj, Fatmir Hasani dhe nënkryetari Besart Jashari.
Must Read