Ferizaj, 5 gusht 2025 – Pas reshjeve të fuqishme të breshërit që goditën rajonin e Ferizajt një ditë më parë, përfaqësues të Komunës kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme për të parë nga afër gjendjen e krijuar dhe dëmet e shkaktuara në bujqësi.
Drejtori i Drejtorisë së Bujqësisë, z. Burim Bajrami, dhe drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, z. Alberton Sahiti, kanë vizituar sot fermerin Mursel Osmani në fshatin Gaçkë, një ndër zonat më të prekura nga breshëri i ditës së djeshme.
Gjatë vizitës, dy drejtorët u informuan për dëmet e konsiderueshme që ka pësuar prodhimi bujqësor si rezultat i motit ekstrem. Ata shprehën gatishmërinë e Komunës së Ferizajt për të reaguar institucionalisht dhe ofruar mbështetje për fermerët e dëmtuar.
“Përmes Komisionit Profesional, Komuna do të bëjë vlerësimin e detajuar të dëmeve dhe do të angazhohet për kompensimin e tyre, varësisht nga mundësitë buxhetore,” u tha nga zyrtarët komunalë, duke theksuar përkushtimin për të qëndruar pranë fermerëve në këto momente të vështira.
Ky reagim i shpejtë është dëshmi e seriozitetit me të cilin Komuna e Ferizajt e trajton sektorin e bujqësisë dhe mbështetjen për ata që mbajnë gjallë prodhimin vendor, pavarësisht sfidave klimatike gjithnjë e më të shpeshta.




