Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë sërish të parët që kanë nisur të reagojnë në mbrojtje të Kosovës për të dënuar krimet serbe 20 vjet pas luftës.
Pas letrës së kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili u ka dërguar të gjitha shteteve mike duke ju kërkuar të nxjerrin rezoluta që i dënojnë krimet serbe në Kosovë, Kongresi Amerikan tashmë ka reaguar i pari.
Këtë të martë (nesër), Kongresi Amerikan do ta mbajë një seancë dëgjimore lidhur me 20 vjetorin e përfundimit të luftës ku do të dëshmojnë për krimet serbe në Kosovë: Ilir Bytyci, Atifete Jahjaga dhe Vasfije Krasniqi – Goodman.
Edhe Ambasadorët e SHBA-së në Kosovë e Serbi kanë reaguar pas letrës së nisur nga Kryeparlamentari Veseli.
Derisa Ambasadori Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ditë më parë u pa përkrah Veselit në Meje të Gjakovës në 20 vjetorin e masakrës që kryen serbët e ku kërkoi ndëshkimin e kriminelëve, edhe Ambasadori Amerikan në Serbi ditë më parë ka thënë se askush nuk mund t’i mohojë krimet që Serbia kreu në Kosovë gjatë luftës.
Iniciativa e Kryeparlamentarit Kadri Veseli për tu dërguar letër me argumente për krimet serbe ka ardhur në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës dhe pas përpjekjes së vazhdueshme nga krerët e shtetit serb për ti mohuar masakrat dhe krimet që ka kryer Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Letra e Kryeparlamentarit kosovar synon që nëpërmjet rezolutave, Parlamentet e vendeve mike të Kosovës të institucionalizojnë kujtimin dhe të vërtetën e krimeve që ka bërë Serbia në Kosovë. /Lajmi.net/