01,07,2025

Pas hyrjes në funksion – si do të vazhdojë trafiku urban në Ferizaj? Detaje nga Drejtori i Shërbimeve Publike

Must Read

Ferizaj, 1 korrik 2025 – Në një intervistë për FerizajPress, Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, z. Alberton Sahiti, foli për zhvillimet dhe risitë në funksionimin e trafikut urban në Ferizaj, duke theksuar përkushtimin institucional për përmirësimin e këtij shërbimi të ri.

Aktualisht, në qytet janë në funksion katër linja urbane (A, A1, B dhe C) lagjet që përfshihen janë: magjistralja që lidhet me rrugët “Rexhep Bislimi”, “Ahmet Kaçiku”, “Vëllezërit Gërvalla”, “Gursel dhe Bajram Sylejmani”, lagjja “Panorama”, “Driton Islami”, si dhe “Parku i Lirisë”. Gjithsej në dispozicion janë tetë autobusë që qarkullojnë çdo 30 minuta nëpër qytet duke filluar nga ora 6:30 deri në orën 22:00. Por, duke marrë parasysh nevojat e qytetarëve, nga java e ardhshme orari i qarkullimit të autobusëve do të jetë çdo 15 minuta kështu duke përmirësuar efikasitetin dhe shërbimin ndaj qytetarëve.

Pjesë e planit janë edhe zgjerimi i linjave që në vazhdim do të përfshijnë rrugët “12 Qershori”, “Naim Beka” dhe “Epopeja e Jezercit”, si dhe kryqëzimin që përfshin fshatrat Muhovc, Talinovc dhe Prelez i Jerlive. Po ashtu në kuadër të zgjerimeve nëpër zona do të përfshihet edhe fshati Varosh, ku do të vihen në qarkullim autobusët urban. Përveç linjave të lartcekura që tanimë janë funksionale, deri në muajin shtator pritet të shtohet edhe linja D.

Komuna planifikon të krijojë një biletë unike për kategoritë e nxënësve, studentëve dhe pensionistëve, ndërsa për udhëtarët nga fshatrat që paguajnë biletën aty, më pas në linjat urbane të qytetit do t’i kenë falas. Veçmas biletës unike, çmimi në përgjithësi do të jetë me kosto të përballueshme dhe sa më e favorshme për qytetarët.

Stacionet ku ndalen autobusët do të vendosen kryesisht pranë institucioneve arsimore, shëndetësore dhe vendeve që janë dendësisht më të frekuentuara. Pritoret do të jenë të pajisura me tabela dixhitale që i informojnë qytetarët rreth orarit të autobusëve në kohë reale.

Nga shtatori pritet të shpërndahen broshurat si dhe të lansohet aplikacioni zyrtar i trafikut urban ku çdo qytetar mund të informohet përmes telefonit mobil lidhur me atë aplikacion i cili do të përfshijë:

  • Orarin e autobusëve në kohë reale;
  • GPS për përcjelljen e autobusëve dhe taksive komunale;
  • Blerjen online të biletave;
  • Informacion në tabelat elektronike në pritore.

Autobusët urban e kanë paraparë edhe hyrjen e posaçme për personat me aftësi të kufizuara, duke garantuar qasje të lehtë dhe të sigurtë.

Po ashtu, drejtoria organizon takime të përditshme me komunitetin dhe operatorët e transportit, thirrje publike dhe përdor platforma dixhitale për shpërndarjen e informacionit rreth trafikut urban.

Komuna ka përgatitur mekanizma mbikëqyrës për kontrollin e cilësisë së shërbimit duke i dhënë inspektoratit komunal të drejtën të kryejë kontrolle në terren. Qytetarët mund të paraqesin ankesa në kompanitë e transportit ose në inspektorat i cili do të monitorojë nisjet dhe kohën e qarkullimit. Sidoqoftë, vonesat ndonjëherë shkaktohen nga kolonat në rrugë, të cilat priten të ulen pas hapjes së nënkalimit të ri afër Stacionit Policor.

Ndër të tjerash Sahiti potencoi se: Me zhvendosjen e stacionit të autobusëve nga rruga “Ahmet Kaçiku”, tani në atë zonë të qytetit është lehtësuar komunikacioni dhe kolonat janë reduktuar dukshëm.

Tutje, drejtori Sahiti përfundoi duke cituar se ky është një projekt që nuk është parë më herët në qytetin tonë dhe se fillimi është pak sa më i vështirë për ta perfeksionuar meqë kërkon kohë dhe angazhim të jashtëzakonshëm e të vazhdueshëm, gjithashtu i bëri thirrje të gjithë qytetarët që të jenë pjesë aktive dhe të bashkëpunojnë në funksionimin dhe përmirësimin e trafikut urban, duke kontribuar në shërbim më të mirë për të gjithë komunitetin e Ferizajt. /Për FerizajPress Aurorë Zymberi

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohet një person për sulm ndaj personit zyrtar dhe armëmbajtje pa leje

Me datë 30.06.2025 rreth orës 23:00, në rrugën "Vëllezërit Çaka" në Kaçanik, ka ndodhur një rast i sulmit ndaj...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img