Ferizaj- Në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, në rastin ku B.M., dhe Sh.S., kanë paditur Komunën e Ferizajt dhe Shkollën Fillore “Gjon Serreçi”, është dëgjuar sërish eksperti gjeodet Enver Pajaziti, pasi që ka bërë plotësim-ekspertizën, i cili tha se prona e cila është objekt i kontestit për vërtetim pronësie, posedues faktik janë paditësit.
“Në aspektin juridik ngastra 2048-7, është pronë e familjes Nikoliq, ndërsa sipas gjendjes faktike një pjesë e ngastrës 2048-7, e cila shfrytëzohet në teren me sipërfaqe 1062 m2, ndërsa pjesa tjetër e po të njëjtës ngastër me sipërfaqe 145 m2 e shfrytëzojnë paditësit, posedues faktik janë paditësit” ka thënë eksperti Pajaziti.
Në këtë çështje kontestimore, paditësit B.M dhe Sh.S., kanë paditur Komunën e Ferizajt dhe Shkollën Fillore “Gjon Serreçi”, me arsyetimin se kanë të drejtën e pronësisë dhe të shfrytëzimit të vendit të quajtur “7 korriku”, raporton “Betimi për Drejtësi”
Eksperti Pajaziti tha se pas matjeve në teren, përshkrimeve në skicë që është pjesë e plotësim-ekspertizës, ka konstatuar se në pjesën e ngastrës 2048-7 me sipërfaqe 745m2, e shfrytëzon paditësi, por se cili nga paditësit e shfrytëzon nuk mund ta thotë me kompetencë të plotë.
I autorizuari i parë i paditësit, avokati Miftar Qelaj e ka pyetur ekspertin Pajaziti, se kush e shfrytëzon ngastrën 2048-4 me sipërfaqe prej 83.06 m2.
Eksperti Pajaziti tha se kjo ngastër shfrytëzohet nga shkolla “Gjon Sereçi”, ku është e ndërtuar fusha e sportit dhe parkingu i veturave ku është e rrethuar me rrethojë teli si dhe i bashkëngjitet shkollës “Gjon Sereçi”.
Në pyetjen vijuese të avokatit Qelaj, se a ekziston ndonjë akt juridik me të cilën paluajtshmëria me numër 2048-4 i ishte ndarë shkollës nga Komuna Ferizajt, eksperti tha se nuk ka has në ndonjë dokument tjetër juridik.
“Nga Drejtoria për Gjeodezi dhe Kadastër-skeptri për kadastër, nga hulumtimi i provave nuk kam mund me has në ndonjë dokument tjetër juridik, por që nuk përjashtohet mundësia që ndonjë dokument mund të jetë në Serbi, pasi që në vitin 1999 disa nga dokumentet janë marrë nga Komuna e Ferizajt sikurse edhe në komunat e tjera”, ka thënë eksperti Pajaziti.
Avokati Qelaj ka konsideruar se e paditura është regjistruar si paluajtshmëri kontestuese pa bazë juridike dhe në mënyrë të kundërligjshme.
Ndërsa, gjyqtari i çështjes Alban Beqiri mori aktvendim në bazë të cilit kthehet padia e paditësve B.M dhe Sh.S, për rregullim dhe plotësim si në aspektin subjektiv ashtu dhe në objektiv, brenda afatit ligjor prej 3 ditëve.
Andaj, seanca e sotme është shty për kohë të pacaktuar.
Sipas padisë, B.M dhe Sh.S., kanë paditur Komunën e Ferizajt dhe Shkollën Fillore “Gjon Serreçi”, duke kërkuar vërtetimin e të drejtës së shfrytëzimit të pronësisë në bazë të marrëveshjes gjyqësore dhe kontratës mbi shitblerje.
Në padi thuhet se prindi i paditësve, M.S., e kishte blerë palujteshmërinë (Njësinë Kadastrale Nr.02048), në vendin e quajtur “7 Korriku”, në sipërfaqe prej 72.77 ari, e regjistruar në fletën poseduse Nr.1986 ZK Ferizaj, në vitin 1964, për çmimin e kontraktuar, të cilin çmim të kontraktuar e kishte paguar në tërësi dhe e njëjta paluajtshmëri i ishte dorëzuar në posedim, me të drejtë të shfrytëzimit sepse e njëjta kishte të bënte me pronën e nacionalizuar, kështu që shitësit L.N, K.N dhe T.N, të cilët i përfaqësonte vëllau L.N, kishin lidhur kontratë me shkrim.
Padia thotë se iu shit prindit të paditësve e drejta e shfrytëzimit në kuptim të së drejtës pronësore, që shitësit në paluajtshmërinë e shitur nuk kishin asnjë të drejtë në të ardhmen.
Gjithnjë sipas padisë, M.S., në bazë të marrëveshjes gjyqësore të lidhur pranë Gjykatës Komunale në Ferizaj, kishte pranuar nga L.N, K.N dhe T.N., t’ia bartnin të drejtën e shfrytëzimit të 23 ari nga parcela, në vendin e quajtur “7 Korriku”, në Ferizaj.
Kjo parcelë, thuhet se në tërësi kishte një sipërfaqe të përgjithshme prej 72.77 ari, dhe me këtë rast shitësit bartin vetëm të drejtën e shrytëzimit.
Kështu, paditësit kanë kërkuar nga Drejtoria e Kadastrit, Pronës dhe Drejtoria për Urbanizëm, si dhe Drejtoria e Infrastrukturës, që të njoftohen rreth procedurës së shpronësimit të regjistrimit të paluajtshmërisë si pasuri e Komunës së Ferizajt, destinuar Shkollës Fillore “Gjon Serreçi”, por nga këto institucione komunale nuk kishte marrë kurrfarë përgjigje, kështu që paditësit ishin të shtyrë të kërkojnë mbrojtje nga Gjykata, e cila zyrtarisht të kërkonte se me çfarë baze, paluajtshmëria kontestuese ishte copëtuar si njësi kadastrale dhe regjistruar – destinuar për shkollën.
Paditësit thuhet se kishin tentuar edhe nga ish-pronarët-trashëgimtarët e tyre që të rregullonin këtë çështje kontestimore, por nga ta kishin marrë përgjigje se prindërit e tyre e kishin rregulluar këtë çështje kontestimore me marrëveshje gjyqësore dhe me kontratë, dhe se nuk kishin dijeni se si kishte ardhë deri te copëtimi i pronës, e cila kishte sipërfaqe të përgjithshme prej 72.77 ari, për të cilin shpronësim askush nuk i kishte pyetur.
Andaj, në bazë të kësaj padie, paditësit kanë kërkuar që gjykata të aprovojë kërkesëpadinë e tyre dhe të vërtetojë se paditësit kanë të drejtën e pronësisë, të drejtën e shfrytëzimit të vendit të quajtur “7 korriku” në sipërfaqe prej 72.77 ari.
Po ashtu, paditësit kanë kërkuar nga gjykata që të detyrojë të paditurën Komuna e Ferizajt dhe Shkolla Fillore “Gjon Serreçi”, t’ua kthejnë paditësve të drejtën e shfrytëzimit të pronësisë.
Paditësit në bazë të padisë, kanë kërkuar që gjykata të obligojë të paditurit që t’i kompensojnë të gjitha shpenzimet që rrjedhin nga kjo procedurë kontestimore. /BetimipërDrejtësi