Ish-anëtari i bordit tanimë të shkarkuar të ndërmarrjes publike ‘’Ambienti’’, Shefqet Bajrami, ka paralajmëruar padi ndaj komunës së Ferizajt dhe kompanisë ‘’Ambienti’’, për shkak se, sipas tij, vendimi për shkarkim është marrë pa ndonjë bazë ligjore dhe për qëllime politike, meqë bordi i kësaj ndërmarrjeje ka pasur kontratë deri në vitin 2020.
“Bordi i ndërmarrjes “Ambienti” është shkarkuar më datën 19.03.2018, ne këtë shkarkim e konsiderojmë politik, duke e pasur parasysh vendimin që është një vendim skandaloz, që as një absolvent i juridikut nuk do ta shkruante aq keq, po ashtu edhe këshilla juridike është e shkruar keq, nuk jep këshillë juridike në vendin e ankesës apo padisë, përndryshe këtë vendim e konsideroj politik duke marrë parasysh që të gjitha faktet që thirren janë të pabaza, unë mendoj se kjo është hakmarrje e pushtetit, sigurisht kryetari është i interesuar t’iu hakmerret qytetarëve për shkak se i ka humbur zgjedhjet në mandatin e kaluar dhe tani është rikthyer me u hakmarrë, unë nuk besoj që ka arsye të tjera, është çështje e tij pse, por unë e konsideroj kështu duke pasur parasysh procedurat që janë zhvilluar edhe në ndërmarrjen tonë edhe në ndërmarrjet e tjera që po vazhdojnë të shkarkohen bordet duke e pasur parasysh pa procedurë, pa asnjë takim. Ne jemi në konsultë me zyret ligjore në Ferizaj dhe Prishtinë dhe jemi duke e përgatitur një padi ndaj këtij vendimi”,tha Bajrami.
Bajrami tha se arsyet mbi të cilat është bërë shkarkimi i bordit nuk përputhen me realitetin.
“Ata i kanë marrë tri arsye, një arsye është se u miratua raporti financiar para se të auditohet, ndërsa afati për raport financiar është 15 marsi me u miratu, ndërsa për auditim 31 maji, çështja e dytë thotë se nuk e keni matur kënaqëshmërinë e konsumatorëve, afati për t’u matur ajo është 31 marsi, ndërsa këta vendimin e kanë marrë më 19 mars dhe arsyeja e tretë thotë se nuk është ueb faqja e kompanisë që nuk është kompetencë e jona, por është kompetencë e kryeshefit ekzekutiv ose e menaxhmentit, pasi është mikromenaxhim, çështje tjetër është që është shkarkuar komplet bordi, ndërsa pas dy dite njëri nga anëtarët e bordit zgjedhet ushtrues detyre në bordin e ri, edhe zgjedhja e ushtruesit të detyrës është e kundërligjshme për shkak se qysh mund të vlerësohet negative performanca e komplet bordit, ndërsa njëri nga ta të rizgjedhet. Edhe te rizgjedhja është në kundërshtim me ligjin pasi bord të përkohshëm kanë vetëm ndërmarrjet fillestare dhe dy prej anëtarëve të bordit që janë zgjedhur në bordin e përkohshëm kanë qenë kandidatë të partive politike, kanë garu për zgjedhjet e fundit komunale’’, theksoi Bajrami.
Nga bordi i ndërmarrjes ‘’Ambienti’’ u shkarkuan Shefqet Bajrami, Xhafer Mehmeti dhe Betim Shabani, transmeton Televizioni Tema.
Must Read