Gjykata Themelore në Ferizaj, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit I.I. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.
Sipas gjykatës, pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe pas analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 18 mars, në Ferizaj, pa autorizim ka blerë dhe poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik.
Gjykata sqaron se me rastin e ndaljes dhe kontrollit tek i pandehuri janë gjetur dhe sekuestruar shtatëmbëdhjetë qese, me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 18.94 gram të përgatitura për shitje.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj. Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij”, thuhet në njoftimin e gjykatës.