Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka shpalosur programin e tij qeverisës gjatë tubimit zgjedhor me qytetarët e Ferizajt. Para ferizajasve Pacolli tha se do të angazhohet që të krijoj të ardhme të ndritur për rininë e këtij vendi.
“Nuk kemi asnjë nevojë që të bredhim rrugëve të Kosovës, nuk kemi asnjë nevojë që të takohemi me qytetarë dhe të fillojmë zellshëm t’i bindim ata se ne jemi më të mirët, jo ne jemi më të mirët se jam i bindur se i vetmi interes që na lidh neve është kjo rini që e shoh para meje, ardhmëria e kësaj rinie, për ne të vjetrit nuk bëhet nami të jetojmë siç është tani, edhe me jetu mjegull siç tenton dikush tjetër të krijoj mjegull në të ardhmen tonë, por rinia kurrsesi, unë do të jem bindshëm prapa interesit të rinisë dhe të bëjë ç’mos që të krijoj një jetë më të mirë për ta”, tha Pacolli.
Pacolli tha se nëse e marrin pushtetin do të ketë rritje ekonomike prej 8% çdo vit si dhe dyfishim të buxhetit.
“E shihni koalicionin tjetër ku e ka pru Kosovën, e shihni çfarë mjegulle ai don të krijojë për arsye se ujku mbijeton vetëm në mjegull, ai del paraqitet vetëm në mjegull, e ne duam qartësi e vizion të qartë, ne duhet të dimë se çka bëjmë, ne do të krijojmë mundësi, rritje ekonomike 8% çdo vit dhe kjo tërheq pas vete rritje buxhetore dy-tri herë më tepër se tani, krijon kapital për të investuar në infrastrukturë, në shëndetësi për të ndërtuar spitale, për ta mbrojtur ambientin tonë që po shkatërrohet”, tha Pacolli.
Kryetari i AKR-së në Ferizaj, njëherit kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës, Labinot Tahiri, tha se ndryshimin në Kosovë mund ta sjellë vetëm AKR-ja.
“Nuk ekziston për mua politika, për mua ka ekzistuar e do të ekzistoj gjithëherë zgjidhje për t’iu bërë njerëzve, sepse nuk shkon që tërë kohën, edhe 17 vite të ketë dëshpërim në Ferizaj e Kosovë, por ne duam zgjidhje për t’i çuar proceset përpara dhe të punësoj njerëz sa më shumë, ja ku është Behgjet Pacolli, mos harroni atje kur të shkoni tek vendi i votimeve, ku ndoshta ka njerëz që marrin rroga prej tij, por kurrë nuk ua ka imponuar votimin, sepse ky nuk i don votat por e don vendin e vet”,thaTahiri.
Aleanca Kosova e Re ka dy kandidatë për deputetë nga Ferizaj, Labinot Tahirin dhe Mimoza Ibishin./TELEVIZIONI TEMA /