Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dega në Ferizaj, sot e ka shënuar 30 Dhjetorin-Ditën e Veteranit.
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës paraditen e sotme ka shënuar me homazhe tek varrezat e Dëshmorëve në Ferizaj, ditën e Veteranit, ditë kjo që nderon kontributin dhe sakrificën e të gjithë luftëtarëve për lirinë e Kosovës.
Udhëheqësit e kësaj organizate në Ferizaj thanë se shënimi i kësaj ditë pa udhëheqësit e luftës, të cilët po ballafaqohen padrejtësisht në procesin gjyqësor në Hagë, është shumë e rëndë.
Ata shprehen të bindur se në të gjitha proceset do të triumfojë pastërtia e Luftës së UÇK-së para Botës .
“Jemi sot këtu për të nderuar shokët tanë luftëtarë të cilët ranë për çlirimin e Kosovës. Ky nuk është manifesti, është Ditë e nderimit të tyre. Ky vit ishte një vit shumë I rendë, ku përveç pandemisë ishin edhe proceset politike. Ne sot jemi pa udhëheqësit kryesor të veteranëve të Luftës. Kryetari dhe nënkryetari i Organizatës së OVL gjenden në Gjykatën e Hagës. Gjithashtu edhe udhëheqës të Luftës gjenden në Hagë” ka thënë Rafiz Sejdiu , kryetar i OVL të UÇK-së, në Ferizaj.
“Sot po shënojmë një ditë të rëndësishme në shenjë respekti dhe dashamirësie për sakrificën që bënë ata në kohë të vështira. Këtë vit po e shënojmë më gjysmë shpirti pasi pjesën më të madhe të komandantëve të UÇK-së i kemi në bankën e të akuzuarve. Këto sfida i kemi kaluar edhe më parë dhe jam i bindur që edhe kësaj radhe do të triumfojmë dhe do ta festojmë sërish lirinë dhe luftën e UÇK-së dhe të Kosovës.” Ka thënë Nexhat Shahini, Historian dhe veteran i UÇK-së
“Edhe pse kjo ditë na gjen pa Komandantët, pa Kryetarin e nënkryetarin e OVL, pa bashkëluftëtarët tanë të cilët janë të privuar nga liria padrejtësisht, ne do të gjejmë forcën dhe vullnetin që në këtë ditë të kujtojmë shokët Dëshmorë të Kombit, kujtojmë bashkëluftëtarët që nuk janë më në mesin tonë, kujtojmë me krenari lavdinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me homazhe do të nderojmë gjakun, veprën dhe sakrificën e dëshmorëve për liri.
Lavdi jetës dhe veprës së Dëshmorëve, lavdi shokëve tanë që nuk janë më në mesin tonë!” thuhet në komunikatën e OVL e UÇK-së