Kështu kanë paralajmëruar zyrtarë të Qeverisë, përfshirë edhe kryeministrin Isa Mustafa, pasi sipas tyre opozita me Listën Serbe e kanë bllokuar këtë proces, e bashkë më të edhe liberalizimin e vizave.
Partia më e madhe opozitare Vetëvendosje i sheh absurde këto akuza, duke theksuar se është Qeveria ajo që ka deklaruar se Demarkacioni si kusht për liberalizim të vizave është një padrejtësi, shkruan lajmi.net
“Sa për liberalizimin e vizave, edhe vetë Qeveria tashmë e ka theksuar se Demarkacioni si kusht për liberalizim të vizave është një padrejtësi. Përveç kësaj, s’duhet harruar për asnjë çast se vizat janë shtyrë nga viti në vit për shkak të një kriteri tjetër – luftimit të krimit e korrupsionit. Një Qeveri e zhytur në krim e korrupsion është e kuptueshme që nuk sjellë as viza, e as integrime”, ka thënë Shkodran Hoti, zëdhënës i Vetëvendosjes.
Sipas tij, Qeveria po e pamundëson daljen nga kriza, duke dashur ta ringjallë një marrëveshje e cila ka vdekur më 1 shtator.
“Nuk është hera e parë që e dëgjojmë këtë nga Qeveria, dhe kjo nuk është gjë tjetër veçse tregues i mosinteresimit të Qeverisë që të tejkalohet kriza e Demarkacionit. Qeveria po e pamundëson daljen nga kriza sepse po insiston për ringjalljen e një marrëveshjeje, e cila ka vdekur më 1 shtator, marrëveshje kjo e cila ia humbet Kosovës 8200 hektarë tokë”, ka thënë ai.
Tutje, Hoti për lajmi.net ka treguar se Vetëvendosje nuk do të ketë ndryshim të qëndrimit sa i takon Demarkacionit.
“Duhet të ndryshohet ky version i marrëveshjes, pra Qeveria s’duhet të barikadohet në qëndrimin e saj të gabuar, por t’i hapë rrugë zgjidhjes së krizës. Ne presim që Qeveria të mos e bëj gabimin e radhës. Nëse ajo do të tentojë ta bëjë këtë, ne do të jemi aty për ta ndalur”, ka theksuar ai.
Ndërsa sipas NISMA-së për Kosovën, kushti kryesor për liberalizim të vizave ka qenë dhe vazhdon të jetë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Sekretari i kësaj partie, Bilall Sherifi ka theksuar se Qeveria për dështimet e veta po përpiqet t’ia hedhë fajin opozitës.
“Qeveria në vend se të jep llogari pse nuk ka arritur rezultatet e duhura në plotësimin e këtij kushti ajo për dështimet e veta përpiqet t’ia hedhe fajin opozitës. Kjo është një përpjekje dëshpëruese e qeverisë që t’i ikë përgjegjësisë që ka për dështimin në plotësimin e këtij kushti”, ka thënë Sherifi për lajmi.net.
Sipas tij, sa i përket këtij versionit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, qeveria duhet sa më shpejt të pranojë rishikimin e saj, nëse jo atëherë le të jep dorëheqje në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Në fund të fundit, në demokraci kur nuk arrihet konsensusi rruga e vetme për të parë kush ka të drejtë është kthimi te Sovrani. Le të thotë ai se kush ka të drejtë”, ka thënë Sherifi. /lajmi.net
.