Ferizaj.23.02.2018. Nxënësit e Shkollës së Mesme të Lartë të Mjekësisë ‘Elena Gjika”, punën praktike tash e tutje do ta kryejnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare
Drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Arsimit, Bashkim Hyseni, shoqëruar edhe nga drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, Asllan Bajrami, mjeku familjar Ylber Murati si dhe drejtoresha e Shkollës së Mesme të Lartë të Mjekësisë “Elena Gjika”, Bahrije Hoxha sot kanë nënshkruar marrëveshjen që ka për qëllim kryerjen e punës praktike të nxënësve të Shkollës së Mesme të Lartë të Mjekësisë ‘Elena Gjika”, në Qendrat e Mjekësisë Familjare.
Me këtë rast drejtori i Drejtorisë së Shëndetësisë në Ferizaj, Besnik Berisha, ka thënë se kjo marrëveshje është shumë e mirë se ardhur për të gjithë nxënësit e shkollave profesionale të Komunës sonë. “Është një marrëveshje mirëkuptimi që i është nevojitur Ferizajt për shumë vite, është një marrëveshje që do t’i krijoj mundësi nxënësve të Shkollës së Mesme të Lartë të Mjekësisë “Elena Gjika”, por edhe të shkollave të tjera profesionale që praktikën ta kryejnë në Qendrën e Mjekësisë Familjare”, ka thënë drejtori Berisha.
Ndërsa drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, Bashkim Hyseni, është shprehur se ka qenë e pakuptueshme që pse deri me tash nxënësve të shkollës së mjekësisë nuk i është lejuar që punën praktike ta kryejnë në institucionet shëndetësore që saktësisht të përgatiten për këtë profesion.
“Të gjitha profilet shëndetësore janë kuadro profesionale dhe do të duhej që në të ardhmen ta ushtrojnë profesionin në këto institucione qoftë të kujdesit primar, sekondar apo terciar shëndetësore në rastin konkret është marrëveshje ma e lehtë me kujdesin primar shëndetësor që është në një ombrellë menaxhuese e Komunës së Ferizajt”, ka thënë drejtori Hyseni.
Gjithashtu u tha se këta nxënës janë potencial profesional, ku mund të mësojnë shumë aty dhe të shpërndahen sipas profileve që kanë nëpër njësi të ndryshme.
Must Read