Ferizaj.15.09.2017. Ka 5 ditë që banorët e lagjes Bytyqi në Mirosalë të Ferizajt kanë mbetur pa energji elektrike. Defektin që e shkaktoi era e fuqishme që fryu të hënën nuk e sanoi më askush. Banorët tregojnë për vështirësitë që po i hasin nga mungesa e rrymës, duke thënë se çdo ditë kanë kërkuar nga KEDS-i që të merret me këtë problem mirëpo një që e tillë nuk po ndodhë.
“Nga e hëna nuk kemi rrymë, janë prish krejt çka kemi pas në frigorifer, 40 shtëpi pa rrymë janë, sot erdhën me rregullu, i thirrën në telefon me ja nal rrymën atje në Ferizaj ju thanë që duhet me shku atje me u nënshkru, po është problem nga e hëna pa rrymë”, tha Ajet Bytyqi.
“Që katër-pesë ditë nuk kemi rrymë, na është prish mishi, qumështi e tërë bylmeti çka e kemi nëpër frigorifere, nuk dimë çka të bëjmë, i kemi thirr çdo ditë, pa rrymë shumë keq, pa dritë, pa asgjë, e gjithë lagjja këtu nuk kemi”, tha Xhevat Bytyqi.
“Ka qenë furtunë atë ditë dhe u prish rryma, i kemi thirr, u lajmëruan nga Prishtina e na thanë që nuk kanë marrëveshje më Ferizajn, tani erdhën dy elektricist nuk ua ndalën në Ferizaj rrymën që të punojnë këta punëtorët, është problem pa rrymë, 80 shtëpi në këtë shekull mos me pas rrymë 5 ditë e mos me ardhë me rregullu”, tha Aziz Bytyqi.
Për të marrë një përgjigje rreth kësaj çështje Televizioni Tema, provoi të kontaktoi me drejtorin e distriktit të KEDS-it për Ferizaj , por me këta të fundit kontakti ishte i pamundur.