Gjykata Themelore në Prishtinë-Dega në Podujevë ia ka shqiptuar burgimin prej një muaji ish-gjeneralit Milan Bojoviq.
Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi gjyqtarja Elhame Paçarada që i shqiptoi këtë dënim ish-gjeneralit të ushtrisë jugosllave dhe asaj serbe.
Paçarada bëri të ditur se dënimi lidhet me kalimin ilegal të kufirit nga Bojoviqi.
Ajo tha se me aktvendim të veçantë ish-gjeneralit i është caktuar edhe masa e paraburgimit derisa dënimi t’i bëhet i plotfuqishëm.
Ky paraburgim sipas gjyqtares nuk duhet të zgjasë më shumë se dënimi i shqiptuar.
Bojoviq u ndalua të enjten, ndërsa më së pari për këtë reagoi Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) që e konsideroi ish-gjeneralin përgjegjës për krime lufte ndaj civilëve në vitet 1997-1999.
Por kur u pyet se a ka hetime për vepra tjera ndaj Bojoviqit, gjyqtarja Paçarada deklaroi se “ne e kemi pasur rastin vetëm për kalim ilegal të kufirit”.
Paçarada nuk e tregoi as motivin që e shtyri ish-gjeneralin Bojoviq ta kalojë kufirin ilegalisht.
“Motivi nuk është i rëndësishëm për gjykatën,” tha Paçarada.