Kultura-Arti

Një libër emblemë e dëshmive të kohës

By FerizajPress

May 16, 2016

Nehat Islami “Një adresë në Bukuresht”, botues “Faik Konica”, Prishtinë – 2016 Pas librit “Hotel Bejruti”, botim i Grupit Koha, me shkrime mjaft atraktive nga përvoja e kaluar në cilësinë e korrespodentit të “Rilindjes” në Bejrut, njëri nga doajenët e gazetarisë në Kosovë, Nehat Islami, këto ditë u prezantohet lexuesve me një tjetër libër, “Një adresë në Bukuresht”, botim i “Faik Konicës” në Prishtinë,shkruan sot “Koha Ditore”. “Një adresë në Bukuresht” është vepër me vlerë të rrallë në fushën e publicistikës, një dëshmi për kohën dhe përkushtimin e Nehat Islamit me kontributet shkrimore të përzgjedhura në të, nga periudhat kohore prej pesëdhjetë vjetëve. Si një letërnjoftim për ngjarje dhe figura autoritetesh, libri “Një adresë në Bukuresht” ka rëndësi të veçantë pikërisht për shkak se është sajuar me përmbajtje të tilla që shënojnë kohët, ecjet dhe ngecjet e atyre kohëve, të barasvlershme me dëshmitë që sot, vërtet, i atribuohen faqeve të historisë. Të tillat shkrime, gjithnjë me emblemat e konotacionit kombëtar, janë shembujt tipikë që bëjnë me dije përkushtimin e gazetarëve shqiptarë (në ato kohë plot sfida e shqetësime) për zbardhjen e realiteteve edhe kur ato ishin të hidhura, përmes gazetarisë hulumtuese si qasje, dhe përmes reportazheve dhe intervistave, si lloje shkrimesh. Që në fillim autori u drejtohet lexuesve me idenë, përkatësisht qëllimin e publikimit të librit, se “me këtë libër u përpoqa të nxjerr nga hija e harresës disa nga shkrimet e mia të botuara në kohë të ndryshme.” Në ato kohë gazetarit Nehat Islami i ka ndodhur të ndeshet me anomali të burokracisë së kohës ndaj të cilave nuk ka mundur të jetë indiferent, ka përshkruar ngjarje dhe kundërthënie. Kësisoj na dalin shkrimet “A na jepni nxënës hua”, “Shkëlqimi trishtues i një ore dore të artë”, mbi tretjen e fitimeve të “Trepçës” në llogaritë jashtë Kosovës, “Variola vera, diversion apo rastësi”, e të tjera të ngjashme. Në këtë vazhdë janë temat e tjera, të politikës ndërkombëtare me fokusim mbi realitetin represiv në Kosovë, siç janë shkrimet: “Faji dhe kujtesa, OKB-ja dhe Kosova”, “Libri i bardhë me faqe të zezë”, me dokumente të falsifikuara antishqiptare, “Faktori rus në Këshillin e Sigurimit të OKB-së” dhe shkrime të tjera në formën e intervistash me personalitetet më të njohura të kohës, nga fusha e politikës (ndërkombëtare), po ashtu edhe nga fusha e artit. Është intervista me Sir Reginald Hibbert-in, me mendimet e tij mbi shqiptarët, mbi Kosovën, Shqipërinë… mandej intervista me Prof. dr. Bogdan Deniq, i cili që në atë kohë të intervistimit (më 1991) shprehej se Republika e Kosovës do të ishte gati një zgjidhje optimale; intervista me Eva Brendlin, që ishte njëra nga ekspertet më të shquara botërore për të drejtat e njeriut dhe anëtare e shumë forumeve ndërkombëtare të kësaj fushe. E kësaj natyre, domethënë të politikës ndërkombëtare, është edhe intervista me liderin kurd Xhalal Tallabanin të zhvilluar më 1974, nga i cili mësojmë për fatin e kurdëve, për shkatërrimin e 5000 fshatrave të tyre nga ana e ushtrisë irakiane të Sadam Hyseinit. Në mesin e intervistave, të personaliteteve me famë botërore, është edhe ajo e zhvilluar me ndjekësin më të madh të nazistëve, Simon Wiesenthal. Libri “Një adresë në Bukuresht” shquhet edhe për faktin se në të Nehat Islami sjell portretet përmes intervistave të shkrimtarëve dhe intelektualëve më të njohur të kohës, të krijuesve me përmasa ndërkombëtare, siç janë Zhak Prever (Jacques Prevert), Naguib Mahfouz, nobelist egjiptian. Ky i fundit shfaq përshtypjet e tij për shqiptarët, duke madhëruar emrin e themeluesit të Egjiptit, të shqiptarit Mehmet Ali Pashës, të cilin e cilëson si vizionar e mendjendritur. Nga dy takimet me Mirosllav Kërlezhën, Nehat Islami sjell të dhëna interesante përmes të cilave dëshmohet interesimi i Mirosllav Kërlezhës për shqiptarët, takimi i tij me aktorët (dhe shfaqjen e tyre) në Teatrin Shqiptar të Shkupit. Shkrimi tjetër portretues është dhënë përmes përshtypjeve që Nehat Islami i kishte nga qëndrimi në Bukuresht, ku ishte takuar dhe kishte bërë intervistë të gjatë me Viktor Eftimiun, që llogaritet si shkrimtari më i madh rumun, me prejardhje shqiptare. Ai ishte nga Boboshtica e Korçës, autor i mbi 125 veprave – drama, romane dhe kishte mbi 60 mijë vargje. Nga shkrimet e tjera në këtë libër, me vlerë e domethënie të veçantë, janë intervistat me këngëtaren e famshme Marije Kraja dhe ajo me ilirologun Aleksander Stipçeviqin, e sidomos intervista me piktorin e madh Ibrahim Kodrën. Kjo intervistë ishte e para (më 1966) që një gazetar shqiptar kishte zhvilluar me piktorin shqiptar, i cili ishte bashkëkohës i Ernest Koliqit, Pikasos dhe shumë emrave të tjerë të famshëm të artit e të letërsisë, të cilët edhe i kishte miq. “Një adresë në Bukuresht”, me këto shkrime që përjetësojnë ngjarje e njerëz nga një kohë tashmë e largët, ia vlen të jetë në fondin e librave të secilit dashamir të fjalës së shkruar, sidomos literaturë për shkollat e gazetarisë.