Besim Zymberi
-Kjo fotografi është bërë në vitin 1941 në Ferizaj, para objektit shkollor, i cili edhe sot shfrytëzohet si shkollë dhe gjendet ngjitur me objektin e shkollës ekonomike.
Në fotografi shihen paraardhësit tanë, prindërit e gjyshërit tanë, të etur për të mësuar gjuhën shqipe, pas ndalesave shekullore.
Shihen në fotografi njerëz të të gjitha shtresave por edhe të besimeve. I bashkon plisi dhe gjuha.
Gjyshi im, Azem Rrahman Zymberi, një atdhetar e veprimtar i devotshëm, ishte hoxhë asokohe, por i zjarrtë për ta mësuar gjuhën shkruar të nënës. Gjyshi im, përveç mësimeve elementare fetare në Prizren, kishte bërë edhe disa vjet të Medresesë së ashtuquajtur, laike, të Shkupit, e cila llogaritej edhe si shkollë e rregullt. Shokë shkolle kishte pasur, atdhetarin, Adem Gllavica, shkencëtarin edhe sot gjallë, Idriz Ajeti, heroin e LNÇ-së, Halit Ibishi etj…
Gjyshi im, në fotografi vërehet shumë qartë në rreshtin e parë ulur, i treti nga e djathta, sipas këndvështrimit tuaj. Ka pranë edhe një hoxhë tjetër.
Dy nxënës fëmijë, i japin një kuptim madhështor kësaj fotografie. Mbajnë në dorë një pankartë me një porosi madhështore, për të cilën kemi nevojë aq shumë edhe sot… Në pankartë shkruan (për ata që nuk do të munden ta shohin mirë):
KURSI VERUER I GJUHËS SHQIPE
Ferizoviq 29-VII-1941-XIX
Mësojtore e dashun
Qi ne na bashkon
Virtytin e dijen
Ti ne na i mëson
Vllazën të gjithë jemi
Ndryshim skemi
Fet sna ndajnë as sot as mot
Kush sjell çarje lodhet kot
(Nuk i njoh të tjerët përveç gjyshit tim, ndaj shpresoj që edhe ferizajas të tjerë të kenë rastin të gjejnë këtu prindin apo gjyshin-katragjyshin e tyre)
U jam mirënjohës gjyshit dhe babait që e kanë ruajtur me fanatizëm këtë fotografi historike dhe shumë dëshmi tjera të kohës!