19,11,2024

Nisin përgatitjet për regjistrimin e popullsisë në vitin 2021

Must Read

Kanë filluar përgatitjet për hartimin e dokumentacionit bazë për regjistrimin e popullsisë së Kosovës për vitin 2021.

Regjistrimi i fundit është bërë në vitin 2011, proces ky që ishte bojkotuar nga banorët serbë të katër komunave veriore të vendit.

Demografët thonë se politika e Beogradit ka penguar këtë proces, por, sipas tyre, ky është një obligim qytetar të cilit duhet t’i nënshtrohen të gjithë.

Ditë më parë është nënshkruar Marrëveshje e Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve, UNOPS, lidhur me Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë në vitin 2021.

Projekti do të realizohet nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK). Regjistrimi i fundit është bërë në vitin 2011, ku nuk ishin përfshirë komunat veriore të vendit të banuara me popullatë shumicë serbe. Banorët e këtyre komunave të ndikuar nga Beogradi zyrtar e  kanë bojkotuar regjistrimin. Por, demografi Rifat Blaku thotë se regjistrimi është obligim qytetarë të cilit duhet t’i nënshtrohet secili.

“Kësaj radhe Eurostat dhe BE do të duhet të bëjnë presion mbi pushtetin e ashtuquajtur paralel të instaluar në veri, që patjetër të marrin pjesë në regjistrim dhe të mos jenë vegël në duar të Beogradit”, tha Blaku, për Radio Kosovën.

Ndërkaq Hazbije Qeriqi, zyrtare për Komunikim me Publikun në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, tha për Radio Kosovën se kanë filluar përgatitjet për dokumentacionin bazë për regjistrimin e popullsisë së Kosovës në vitin 2021.  Ajo tha se dokumentacioni do të jetë i njëjtë për të gjitha komunat.

“ASK edhe në regjistrimin e vitit 2011 i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura për ta realizuar projektin edhe në veri të Kosovës, mirëpo ato më pas kanë qenë çështjet politike që e kanë ndaluar popullatën e asaj zone të mos marrë pjesë në regjistrim. Përgatitjet i kemi bërë për të gjitha komunat e Kosovës, ne do të bëjmë përgatitje maksimale dhe të bëjmë edhe fushatën sensibilizuese edhe në atë pjesë të Kosovës sikurse në të gjitha pjesët e tjera, mirëpo çka do të vije më pas, nuk mund ta parashikojmë”, tha Qeriqi.

Sipas Marrëveshjes së Mirëkuptimit, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) si bartëse e projektit do ta zbatojë atë në bashkëpunim të ngushtë me UNOPS-in, i cili do të menaxhojë me fondin e krijuar për mbulimin e shpenzimeve.

Projekti do të udhëhiqet përmes Komitetit Drejtues, anëtarët e të cilit do të jenë të gjithë pjesëmarrësit në fond. Qeveria e Kosovës do të financojë 40% të projektit, kurse partnerët dhe donatorët ndërkombëtarë do të financojnë 60% të projektit.


- Advertisement -spot_img
Të fundit

Aksident në Ferizaj, përfshihen tri vetura – lëndohen 5 persona

Pesë persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti në mes tri veturave ne Ferizaj. Aksidenti ndodhi në rrugën...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img