05,05,2024

Nis mësimi tërëditor në dy shkolla të Ferizajt

Must Read

Në shkollën fillore ‘’Rizah Matoshi’’ në Nikadin dhe ‘’Afrim Abazi’’ në Ferizaj, nga sot ka filluar mësimi tërëditor. Përkundër asaj se zbatimi i këtij pilot-projekti u shty për 5 muaj për shkak të mungesës së buxhetit, infrastrukturës dhe materialit mësimor, drejtoria e Arsimit e nisi atë, ani pse ende nuk janë plotësuar kushtet që kërkon ky pilot-projekt. Nxënësit e këtyre shkollave, që nga sot, ushqimin që e marrin nga shtëpia do ta hanë në klasë, ngase shkollat nuk kanë hapësirë të veçantë për ushqim, e as buxhet për t’ua siguruar atë.

Përkundër gjendjes në shkolla, Drejtori i Arsimit në Ferizaj Muhamet Halili, thotë se i kanë bërë të gjitha përgatitjet për zbatimin e këtij pilot-projekti.

“Ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet të cilat na duhen për  të filluar një pilotim, që shpresojmë shumë që do të jetë i suksesshëm për arsye se fëmijët kanë mundësi edhe për aktivitete të lira, mësim shtues dhe plotësues, i kemi shtypur edhe ditaret për këtë, mundësia do të jetë që nxënësit do të jenë më shumë në shkollë dhe të kenë rezultate më të larta”,tha Muhamet Halili.

Udhëheqës të këtyre dy shkollave të Ferizajt, thonë se megjithë vështirësitë, do mundohen që ky pilot-projekt të shkoj sa më mbarë.

 ‘’Pa e filluar një punë nuk realizohet kurrë ajo, ne do ta fillojmë, besoj që në të ardhmen do të kemi sukses, fëmijët do ta marrin me vete ushqimin, mësimi tek cikli i ulët përfundon më herët, e kanë 30 minuta pauzë dhe gjatë kësaj pauze do të hanë bukë në klasë dhe do të përkujdesen për mirëmbajtjen e klasës  dhe pas pushimit do fillojnë me mësim, siç e kanë në planprogram,  një ditë e kanë mësim- lexim, një ditë mësim-plotësues dhe shtues dhe një ditë me aktivitete të lira, kështu që edhe pse kemi pak vështirësi do fillojmë të punojmë për nxënës”, tha Mustafë Zejna, drejtor i shkollës “Afrim Abazi”.

“Në bazë të këshillit të shkollës, me prindër dhe mësimdhënës, kemi bërë disa përgatitje teknike të duhura, në aspektin cilësor për të vazhduar këtë projekt i cili është i ri në Ferizaj dhe besoj që kemi filluar për së mbari, ne jemi në bashkëpunim me DKA-në dhe kryetarin e Ferizajt dhe na kanë premtuar se do t’i sjellin disa artikuj shtesë dhe disa mjete mësimore dhe përderisa është  projekt i ri atëherë ne duhet të presim së paku një muaj dhe të startojmë, ne i kemi referuar prindërit që nxënësit kur të vijnë në shkollë të marrin ushqime me vete dhe nuk besoj  që është ndonjë problem i madh sepse janë vetëm dy orë shtesë dhe është në dobi të tyre”, tha Besa Beqiri-Zejnullahu, drejtoreshë e e shkollës “Rizah Matoshi”.

Se ky pilot-projekt është sfidues e pohojnë edhe mësimdhënësit, mirëpo theksojnë se nga ky projekt do të përfitojnë shumë nxënësit.

 “Ne si mësimdhënës do të jemi më të ngarkuar, për arsye se 3 ditë në javë do t’i kemi nga dy orë më tepër që në tërë muajin do të ngarkohemi me 20 orë shtesë, mirëpo përfitues janë nxënësit, për atë që jemi edhe të thirrur të punojmë dhe realisht është edhe sakrificë, është sfidë edhe për prindër që orari është i tillë që kërkon disa kushte të ushqimit, por tek ushqimi nuk janë kushet e duhura por shpresoj që do të gjejmë bashkëpunim me prindërit dhe nxënësit”, tha Agim Bytyqi, mësimdhënës.

Mësimin gjithëditor e mirëpritën edhe nxënësit e këtyre shkollave.

“Është shumë mirë, e kemi pritur me padurim, jemi të lumtur dhe besoj që kemi me patur aktivitete të shumta dhe besoj që do të kalojmë mirë, ushqimin tani po e marrim me vete, kush ka dëshirë“, tha Erona Bega, nxënëse.

Me këtë pilot-projekt, komuna e Ferizajt nisi sot për herë të parë, ndërsa u tha se një projekt i tillë në të ardhmen do të zbatohet edhe në ato shkolla ku ka hapësirë të mjaftueshme,transmeton Televizioni Tema.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Rinia e PDK-së me aksion simbolik: Qeveria Kurti po tenton ta përmbysë Ferizajn

Rinia Demokratike e Kosovës ka protestuar në Ferizaj, përmes një aksioni simbolik duke “peshkuar” në rrugën magjistrale, të përmbytur...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img