Nesër në Ferizaj do të mbahet festivali tashmë tradicional “Fëmijët e Gëzuar”.
Kjo ngjarje kulturore e cila shënohet në kuadër të aktiviteteve që organizon Drejtoria e Kulturës, do të mbledh qindra fëmijë e prindër në teatrin e qytetit, ku para tyre do të performojnë 22 fëmijë.
“Kryesisht do të jenë fëmijë prej moshës 4 deri në 15 vjeç, tema që do të trajtohen janë tema që janë përzgjedhur me shumë kujdes, e të cilat janë edukative, tema që shpesh i gëzojnë dhe i shqetësojnë ata. Pra, janë 22 këngë të cilat do prezantohen në këtë festival, mendojmë që juria ka bërë punën e saj në mënyrën më të mirë të mundshme ku ka përzgjedhur më të mirët për t’u prezantuar në festivalin e sivjetmë”, tha Albulena Nuredini.
Ndërkaq, drejtori artistik i këtij festivali, Nazmi Aliu, tha se çdo vit e më shumë interesimi i fëmijëve për të marrë pjesë në festival po rritet.
“Unë e di që përpara në festivalin tonë, në vitet 80 dhe 90, është dashur që unë personalisht të trokas nëpër dyer dhe t’i thërras fëmijët që të marrin pjesë në festival, tash po ndodhë diçka krejtësisht e re që në praktikën tonë konsiderohet një fenomen i ri. Mund të them se për çdo vit këngët janë shumë më të mira se vitet që po lëmë pas. Tekstshkruesit dhe kompozitorët kanë filluar ta marrin më seriozisht realizimin e një këngë për fëmijë. Një arsye tjetër është edhe teknologjia e përsosur, pasi që ajo po bënë çudira”, theksoi Aliu.
Festivali i 29 me radhë “Fëmijët e Gëzuar”, do të mbahet nesër në tetarin e qytetit prej orës 14:00. Juria e cila do t’i vlerësoj këngët fituese përbëhet prej: Shqipe Halilit, Naser Dulës, Servete Krasniqit dhe Ylli Kalajës, transmeton Televizioni Tema.