Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, njofton se nesër (e shtunë), 28 gusht 2021, mbahet afati i dytë i provimit të Maturës Shtetërore.
Testimit në afatin e dytë do t’i nënshtrohen rreth 6700 maturantë në 68 qendra të testimit, ndërsa në këtë proces do të angazhohen rreth 200 komisionerë, 130 mbikëqyrës, 65 vëzhgues, si dhe 650 administrues.
“Në koordinim me Drejtoritë Komunale të Arsimit dhe me shkollat, MAShTI ka bërë të gjitha përgatitjet për organizimin e këtij provimi. Në çdo bankë do të sistemohet nga një nxënës ndërkaq, në çdo klasë do të lejohen më së shumti 15 maturantë”, njofton MASHTI.
Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, MASHTI kërkon nga pjesëmarrësit në Provimin e Maturës, që të respektojnë në përpikëri masat.
“MASHTI, po ashtu, kërkon nga të gjithë personat e angazhuar në proces që të realizojnë detyrat e caktuara me kompetencë dhe profesionalizëm të lartë, ndërsa kërkon që çdo parregullsi të raportohet me shkrim në DKA dhe në MASHTI”, thuhet tutje në njoftim.
Për të gjithë pjesëmarrësit për të cilët ka fakte për shkelje të procedurave, Këshilli Shtetëror i Maturës do të marrë masa sipas Ligjit të Maturës.
Bazuar në këtë Ligj dhe Udhëzuesin e dërguar në shkolla, ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonit brenda qendrave të testimit dhe kujtdo që i zihet telefoni do të përjashtohet nga provimi.
“Për të mos ndikuar në proces dhe sipas rregullave të administrimit të testit, pas orës 10:00 (koha kur fillon testi) nuk lejohet asnjë person tjetër brenda qendave të testimit përveç personave përgjegjës për mbarëvajtje të testit. Prandaj, mediet mund të marrin pamje në çdo qendër vetëm para fillimit të Testit të Maturës”, njofton ministria.
Rezultatet e afatit të dytë të Provimit të Maturës Shtetërore pritet të shpallen më datën 8 shtator.