Reagimet e familjarëve vijnë vetëm një ditë pas vrasjes tragjike të A.H në pikë karburanti. Familjarët kanë kërkuar burgim të përjetshëm për autorin e dyshuar Arqil Koçi, 27 vjeç.
Vëllai i të ndjerit thotë se do të bëjë vetëgjyqësi, nëse drejtësia nuk vepron siç duhet. Kurse bashkëshortja e viktimës, Zana Hoxha, është shprehur për mediet se Artani ishte njeri punëtor dhe përpiqej sa më shumë për të nxjerrë të ardhura për familjen.
Pjesa më e madhe e parave, thotë ajo, shpenzoheshin për të blerë ilaçe për njërin nga dy fëmijët e sëmurë. Roja i karburantit në hyrje të Sarandës, Artan Hoxha u vra dje me çifte nga i riu Arqile Koçi, i cili grabiti shumën e parave 60 mijë lekë të reja. Autori u prangos brenda pak orëve.
Ngjarja, sipas agjencisë NOA ka ndodhur rreth orës 03:55 të së dielës, kur një person që drejtonte një motoçikletë me helmetë në kokë ka hyrë në lokalin e karburanteve ku punonte Artan Hoxha, 44 vjeç. Në ato momente në lokal ndodheshin dy punonjësit e lokalit dhe i ndjeri Hoxha.
Nën kërcënimin e një arme gjahu, çifte, grabitësi ka arritur të marrë rreth 60.000 lekë të reja nga banakieri.
Teksa po largohej, ai ka marrë cigare dhe çëmçakëza në ekspozitor, por i kanë rënë në tokë disa nga paratë që mbante në dorë. Pasi ka marrë nga toka paratë dhe teksa po dilte, nga tavolina ka lëvizur 44 vjeçari Artan Hoxha.
Lëvizja e tij ka trembur grabitësin i cili e ka goditur pa paralajmërim drejt e në gjoks dhe është larguar me vrap duke marrë motorin për të dalë në rrugën kryesore me drejtim Sarandën. Hoxha është transportuar me urgjencë drejt spitalit, por ka mbërritur i vdekur.
Ndërsa përmes pamjeve filmike dhe bizneseve në afërsi të vendit të krimit, është bërë i mundur identifikimi i të dyshuarit, Arqile Koçi, 27 vjeç, i cili më pas u arrestua së bashku me një person tjetër. Ai është dërguar në paraburgim.
.