Zëdhënësi i ri i Qeverisë së Kosovës Faton Abdullahu në vazhdimësi ka treguar mos durueshmëri dhe ka sulmuar dhe gjykuar gazetarët, analistët, biznesmenët,UÇK-në, presidenten dhe opozitën, nëpërmjet stauseve të tij në facebook, shkruan Infokusi.com.
Ky zëdhënës i ri i qeverisë është djali i ish kryetarit të Partisë Nacional Demokratike Shqiptare (PNDSH), Rexhep Abdullahut, madje është dhëndërri i Bajram Gecajt, i cili mbanë pozitën e Zëvendësministrit në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Ai është edhe ligjërues në Riinvest ku edhe ka aksione shefi i tij, kryeministri Isa Mustafa.
Nuk ishte aspak e rastësishme deklarata e tij e mbrëmshme në një emision televiziv kur tha se gazetarët i shtrembërojnë deklartat. Ai duket se ka një gjykim të tillë për gazetarët dhe analistët, madje duket se e ka edhe urrejtje patologjike shkruan Infokusi.com.
Abdullahu ka një sens të pa parë paragjykues dhe këtë e dëshmon edhe vet me statuset e tij në facebook, ku nuk ka kursyer gazetarët, analistët, portalet, UÇK-në, por as edhe biznesmenët, madje këtyre të fundit u ka dhënë një epitet që po të mos e shikosh se kush e ka shkruajtur do të mendoje se e ka shkruajtur shefi i tij, që mbanë edhe pozitën e kryeministrit.
Zëdhënësi i ri madje në vazhdimësi ka postuar statuse nëpërmjet të cilave ka sulmuar gazetarët, bizneset dhe opozitën, duke i shërbyer kësisoji denjësisht shefit dhe retorikës së tij.
Abdullahu madje në një status të tij në facebook ka shkuar edhe deri tek konstatimi që “ka ardhur puna për ta mbrojtur UÇK-në nga UÇK-ja”, pa çka se i mungojnë disa ë dhe në vend të Ç ka shkruar C.
Kurse një nga konstatimet e tij për gazetarët dhe analistët e ka shkruajtur kësisoji:”Disa gazetarë e analistë mungesën e thellësisë së mendimit e zëvendësojnë me sulme dhe akuza të cekta”, duke harruar se më herët i është referuar pikërisht një lajmi që doli si rezultat i hulumtimit të gazetarëve “mashtrues” siç i quan ai me raste.
Zëdhënësi i ri nuk ka lënë pa e sulmuar as Halil Matoshin ku me anë të një statusi e komenton dhe jep një analizë të thellë mbi zemërimin e tij.
“E di që inati i shqiptarit është i madh, po si inati i Halil Matoshit nuk më ka ndodhë me pa kogja moti”, kështu e fillon ai një status për një shkrim të Matoshit.